×
  • Opinione
  • Opinione

    Hyrja në decenien e dytë të bisedimeve të Brukselit

    FrontOnline
    07 Qershor 2021

    Kodifikimi final ndërkombëtar i realitetit në Kosovë, si dhe në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

    Ky Kodifikim, kjo përligjje ndërkombëtare përmes kësaj Marrëveshjeve, do të bëhej duke pasë si themel të vetin njohjen formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Nuk ka realitet tjetër në Kosovë, pos këtij që ka nisur të krijohet qysh me 20 qershor të vitit 1999  (kur forcat e fundit të Serbisë dhe të Armatës së atëhershme të Jugosllavisë u larguan nga Kosova), kur Kosova u çlirua, që vazhdoi pastaj me bërjen e një pushteti demokratik në te dy nivelet  (atë lokal dhe qendror), dhe që u rrumbullakësua me Deklaratën e shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe demokratik në Kuvendin e Kosovës, me 17 shkurt, 2008-të.

    Pra, ky realiteti në Kosovë, së pari ka njohur dimensionin e sigurisë ndërkombëtare dhe vendore, pastaj, së dyti, atë të ndërtimit të institucioneve demokratike përmes zgjedhjeve të lira, dhe së treti, atë të emërimit të këtij realiteti me krijimin e shtetit.

    Megjithatë, ky realiteti i Kosovës, i cili siç pati thënë Presidenti i SHBA-së Joseph Biden, në vizitën e tij në Kosovë, në pranverën e vitit 2009  (atëbotë si Zëvendës-President i Amerikës, në Administratën e Presidentit Obama), është i pakthyeshëm, nuk arriti të certifikohet, në dy rrafshe shumë të rëndësishme ndërkombëtare: Në atë të OKB-së, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së  (ku është dashtë të përkrahet CSP-ja, apo Propozimi Gjithëpërfshirës i Statusit të Kosovës, i Propozuar nga Presidenti Ahtisaari), sepse këtë e pamundësoi Federata e Rusisë, dhe në atë të BE-së, sepse pesë shtetet e Bashkimit Evropian  (Spanja, Greqia, Romania, Sllovakia dhe Qipro), nuk iu bashkëngjitën 22 shteteve të tjera anëtare të BE-së në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

    Ky realitet është pranuar prej mbi 100 shtete anëtare të OKB-së, duke përfshirë këtu shtetet më të mëdha të Perëndimit, por në mungesë të njohjes së tij në këto dy rrafshe ndërkombëtare, Kosova nuk arriti ta stabilizojë sa dhe si duhet  (dhe sa dhe si është pritur), pozicionin e vet ndërkombëtar.

    Po të pranohej në Këshillin e Sigurimit të OKB-së Propozimi i Presidentit Ahtisaari  (në pranverën e vitit 2007-të, apo, në muajt prill dhe maj), vet shpallja e pavarësisë do të ndodhte në muajin qershor të vitit 2007-të, dhe Kosova në vjeshtën e atij viti, do të bëhej shteti i 193-të anëtar i OKB-së.

    Nuk ka dilema se si do të zhvilloheshin pastaj, në këto rrethana të synuara dhe të planifikuara nga Presidenti Ahtisaari dhe kryeqendrat e Perëndimit, bisedimet në mes të autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë. Ato, njëmend do të ishin fare teknike, teksa patjetër do ta përfshinin edhe temën e shënjimit të kufirit në mes të këtyre dy shteteve, në bazë të Parimit të kufijve nga Kushtetuta federale, ajo e Kosovës dhe e Serbisë, e vitit 1974  (kufijtë kadastral të komunave kufitare).

    Këto bisedime do të kishin përfunduar qëmoti  (me gjasë, jo më vonë se në vitin 2011-të, kur nisën këto bisedimet e reja në Bruksel të instancave më të larta të Kosovës dhe Serbisë), dhe tashmë, Kosova dhe Serbia do të njihnin një dhjetëvjetësh të raporteve normale në mes tyre.

    Njëlloj do të ndodhte, pra, edhe sikur të kishte një konsensus të mirëfilltë në mes të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Edhe në këtë rast, autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë, do të bënin pjesë në një proces të prirë nga Brukseli, me një qëllim të arritjes së një Marrëveshjeje për njohjen reciproke  (pa të cilën as Kosova dhe as Serbia nuk mund të bëhen anëtare të BE-së).

    Në këtë rast, këto bisedime do të nisnin në pranverën e vitit 2011-të, në vijim të Vendimit të ICJ-së  (Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në korrik të vitit 2010-të), i cili përligji nga aspekti i të Drejtës Ndërkombëtare Aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe në respektim të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së  (të shtatorit të vitit 2010-të), dhe me gjasë, do të merrnin fund jo më larg se tre vjet më pas, me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

    Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, realisht, ka mundur të shërbejë si një rrethanë e re, shumë e volitshme, për pesë shtetet e BE-së për ta njohur Kosovën  (mund të merret me mend çka kishte ndodhur me shtetin e Kosovës po të merrte ICJ një Vendim krejt tjetërfare, i cili do ta kontestonte Aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës), apo, madje, edhe për ta krijuar atë ‘Aktin e kryer’ në raportet e Perëndimit/ SHBA-së dhe BE-së me Serbinë, sepse tek e mbrama, Serbia pësoi një disfatë finale në raportet me Kosovën  (pas asaj ushtarake në vitin 1999, asaj politike dhe negociatore në vitet 2005-2008, dhe kësaj të Drejtësisë Ndërkombëtare të vitit 2010), të cilën për më shumë e kërkoi vet me pyetjen që ia kishte bërë ICJ-së në vjeshtën e vitit 2008-të.

    Në vjeshtën e vitit 2010-të pra, ka qenë e mundur të ndodhë ajo ‘Prerja finale’ e akomodimit ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, duke pasë si bazë të veten Vendimin e ICJ-së.

    Ky me gjasë ka qenë ai rasti i fundit që tema e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet brenda një afati disavjeçarë, duke arritur aty ku është dashtë, me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Nëse i kthehemi paksa kontekstit historik të zhbërjes së ish-RSFJ-së, fillimisht me krijimin e shteteve të Sllovenisë dhe të Kroacisë, këto dy shtete kurrë nuk do të mund të stabilizoheshin ndërkombëtarisht, po të mos pajtohej Federata e Rusisë me krijimin e tyre  (ajo do të mund të bllokonte anëtarësimin e tyre në OKB, përmes Këshillit të Sigurimit), apo, po mos të kishte pajtim të plotë tek shtetet e atëhershme anëtare të BE-së.

    Sidoqoftë, nëse sërish trajtojmë temën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, dihet që Supozimi fillestar i Brukselit dhe Washingtonit, në vjeshtën e vitit 2010-të, ka qenë që bisedimet që do të nisnin në pranverën e vitit 2011-të, do të përfundonin brenda pak viteve me atë Marrëveshjen për njohjen reciproke.

    Kjo nuk ndodhi, për shkaqe pak a shumë të njohura për të gjithë ne.

    Tashmë kemi hyrë në decenien e dytë të këtyre bisedimeve, teksa këndejpari, në Kosovë, askush nuk ka më durim që edhe për tjera vite të tëra të vazhdohet me këtë dialog, pa mbërritur sa më parë që është e mundur te ai qëllimi i përcaktuar qëmoti: Te Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të bazuar mbi njohjen reciproke.

    Nga Rubrika
    Opinione10 Maj 2025
    Shkruan: Adri Nurellari Zakonisht, kur kritikohet qeverisja Kurti, fokusi vendoset te dëmet aktuale të prekshme, pra vonesat, gabimet, çmimet e rritura, mungesa...
    Opinione09 Maj 2025
    Nga: Ben Andoni  Rikthimi i shenjave të fashizmi në Evropë dhe kudo nëpër botë nuk po ndodh me trumbetat e dikurshme dhe...
    Opinione08 Maj 2025
    Nga: Ben Andoni Ajo që është e paqartë në “dukje”, është si u arrit të realizohet kontrata e lobimit e PD-së me...
    Të tjera
    Lajme13 Maj 2025
    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami pas dështimit të 15-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka thënë se shpreson...
    Lajme13 Maj 2025
    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se kanë mbyllur kompaninë paralele të ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicë të Veriut, me...
    Lajme13 Maj 2025
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka kujtuar heroizmin e familjes Meha në Prekaz në 44-vjetorin e rënies. Ai në Facebook thotë...
    Lajme13 Maj 2025
    Dështon për të 15-tën herë konstituimi i Kuvendit Ka dështuar përsëri konstituimi i Kuvendit të Kosovës edhe në tentimin e 15-të. Sikurse...
    Lajme13 Maj 2025
    Ka nisur vazhdimi i seancës konstituive. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se në sallë janë të pranishëm 115 deputetë. Kjo është...
    Lajme13 Maj 2025
    Kreu i Nismës, Fatmir Limaj ka thënë se nuk ka marrë ftesë nga presidentja Osmani për takimin e thirrur me subjektet politike....
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.