×
  • Lajme
  • Lajme

    Hyrja e mallrave serbe/ Rafuna: Veprim i drejtë, por i dëmton bizneset e Luginës

    FrontOnline
    08 Tetor 2024

    Ka filluar qarkullimi i mallrave serbe në tregun e Kosovës, një ditë pasi që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndryshimin e masës së sigurisë për mallrat nga shteti fqinj.

    Kjo është konfirmuar nga Kryeministri i vendit i cili ka konfirmuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dërguar letrën pikës kufitare në Merdare që të  ndryshojnë masat e vendosura ndaj mallrave serbe.

    ‘’ Ne po e bëjmë këtë ndryshim të masës sipas letrës që ia ka dërguar ministri Sveçla drejtorit të Doganave. Ai është marrë me këtë punë, por me këtë punë është marrë e gjithë Qeveria jonë, prej meje e sidomos zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e deri tek këshilltarit e mi, këta kanë biseduar edhe me BE edhe me Gjermaninë. Ndryshimi i masës që e bëjmë është më se i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë” ,ka thënë kryeministri Kurti.

    Edhe Bashkimi Evropian (BE) e ka cilësuar të martën si “hap të duhur” drejt zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA vendimin e Kosovës për heqjen e kufizimit ndaj importit të mallrave nga Serbia një ditë më parë.

    BE-ja e ka parë si “lajm të mirë“ vendimin e Qeverisë së Kosovës me shpresë se, në këtë mënyrë, është hapur rruga për sukses të samitit të Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet javën e ardhshme në Gjermani.

    Ky vendim ka ardhur në zbatim në kohën kur ndërkombëtaret kanë thënë  mos aprovimi i një  vendimi  të  tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

    Lidhur me ndryshimin e kësaj mase të sigurisë për FrontOnline janë deklaruar nga pozita, opozita dhe ekonomistë nga vendi.

    Gramos Agusholli për lejimin e importeve serbe: Vendim i drejtë i Qeverisë “Kurti”

    Gramos Agusholli, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, e vlerësoi heqjen e masës kufitare nga Qeveria Kurti si një vendim të drejtë, pas presionit të vazhdueshëm nga shtetet evropiane, veçanërisht Gjermania. Ai theksoi se këto vende paralajmëruan se mosheqja e masës do të rrezikonte përjashtimin e Kosovës nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit.

    ‘’ Pas presionit të vazhdueshëm nga shtetet Evropiane, veçanërisht nga Gjermania, të cilat paralajmëruan se nëse kjo masë nuk hiqet do të rrezikojmë përjashtimin nga CEFTA dhe procesi i Berlinit, mendoj se vendimi i Qeverisë për të tërhequr masën ishte i drejtë’’, tha Agusholli për FrontOnline.

    Agusholli nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së raporteve të mira me shtetet evropiane, duke theksuar se është në interes të Kosovës të respektojë marrëveshjet për tregtinë e lirë, pasi ato mbështesin zhvillimin ekonomik dhe lidhjet me rajonin. Ai beson se, pavarësisht sfidave me Serbinë, zbatimi i tregtisë së hapur do të sjellë përfitime për ekonominë.

    ‘’Është në interes të Kosovës si shtet që të respektojë marrëveshjet për tregtinë e lirë, pasi janë mekanizma që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e lidhjeve me rajonin. Pavarësisht sfidave me Serbinë dhe divergjencave politike, ekonomia jonë do të përfitojë nga zbatimi i një tregtie të hapur dhe të lirë’’, tha Agusholli.

    Ai argumentoi se rreziku i përjashtimit nga organizatat ndërkombëtare është më i rëndësishëm se sa impakti i tregtisë me Serbinë, dhe përjashtimi do të kishte pasoja afatgjata për vendin.

    ‘’A është më i madh rreziku i përjashtimit nga organizatat ndërkombëtare, të cilat ndihmojnë integrimin e Kosovës në ekonominë globale dhe Evropiane, apo është më i madh impakti i tregtisë me Serbinë?

    Përjashtimi nga këto struktura do të kishte pasoja shumë më të rënda për vendin në terma afatgjatë’’ deklaroi Agusholli, për FrontOnline.

    Agusholli gjithashtu shprehu besimin se qytetarët e Kosovës janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për produktet serbe dhe inkurajoi vazhdimin e bojkotit të tyre, duke mbështetur prodhuesit vendorë. Ai nuk pret që ky vendim të ketë ndikim negativ në bizneset lokale; përkundrazi, ai beson se do të rrisë konkurrencën dhe do të nxisë prodhuesit vendas të ofrojnë produkte më cilësore dhe me çmime më të mira, duke përfituar kështu konsumatorët.

    ‘’Sipas mendimit tim bojkotimi i tyre duhet te vazhdoj dhe te përkrahet prodhuesi vendor. Nuk pres që ky vendim të ketë ndikim të madh negativ në bizneset lokale, përkundrazi. Nëse ky vendim rrit konkurrencën dhe nxit prodhuesit vendas të ofrojnë produkte më cilësore dhe me çmime më të mira, konsumatori do të përfitojë’’, u shpreh Agusholli.

     

    Pal Lekaj: Kryeminstri Kurti me taktikat dhe lojërat e tij të vazhdueshme po e sjellë Serbinë në Kosovë

    Pal Lekaj, deputet  i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kritikoi ashpër vendimin e Qeverisë “Kurti” për heqjen e kufizimeve ndaj mallrave serbe. Ai vlerësoi se Kryeministri Kurti, me taktikat e tij, po e sjell Serbinë gjithnjë e më afër Kosovës, duke theksuar se ky pushtet ka dështuar në raportin e dialogut.

    ‘’ Kryeministri Kurti, me taktikat dhe lojërat e tij të vazhdueshme, vërtet dalëngadalë po e sjellë Serbinë në Kosovë’’, tha Lekaj për FrontOnline.

    Lekaj theksoi se në tavolinën e negociatave nuk janë mbrojtur temat e rëndësishme për vendin, duke përmendur lëshimet për asociacionin dhe urën e Ibrit, si dhe tani heqjen e kufizimeve për mallrat serbe.

    Ai e quajti të dhimbshme dhe jo të drejtë që Qeveria të largohet nga kufizimet, kur vendi është mbushur me importe nga Serbia.

    ‘’ Ky pushtet ka dështuar në raportin e dialogut, sepse në tavolinën e negociimit nuk kanë arritur ta mbrojnë çdo temë të rëndësishme të Kosovës. Prandaj janë bërë lëshime me Asociacionin, Urën e Ibrit, dhe tani në fund largimin e kufizimit për mallrat serbe që hyjnë në vend. E dhimbshme dhe jo e drejtë që Qeveria Kurti të largojë kufizimet ndaj mallrave serbe, ku vendi ynë është mbushur gjithandej me importe nga Serbia’’ tha Lekaj.

    Lekaj kërkoi që Qeveria të jetë e kujdesshme në marrëdhëniet me Serbinë, duke nënvizuar se lëshimet e mëparshme nuk duhet të vazhdojnë.

    ‘’ I lutem pushtetit që të jenë të kujdesshëm në vazhdimësi ndaj Serbisë sepse mjaft kemi bërë lëshime përballë tyre’’, përfundoi Lekaj.

     

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës: Po dëmtohen bizneset e Luginës, duhet t’i dërgojnë mallrat nëpërmjet Merdares

    Lulzim Rafuna, përfaqësues i Odës Ekonomike të Kosovës, vlerësoi vendimin e Qeverisë për lehtësimin e kalimit të mallrave serbe në pikën kufitare në Merdarë si një hap të rëndësishëm për avancimin e tregtisë dhe integrimin e Kosovës në CEFTA dhe Procesin e Berlinit.

    ‘’Vendimi i  Qeverisë së Kosovës për të lejuar kalimin e sigurt të mallrave përmes pikës kufitare në Merdarë është një hap i mirë një hap që besojmë se do të vlerësohet nga ana e qeverisë gjermane dhe Kosova të jetë pjesë e CEFTA-s , pjesë e procesit të Berlinit dhe tregut të përbashkët rajonal

    Veprimi i djeshëm pra është një hap i mirë besojmë që pranohet nga ana e qeverisë gjermane dhe Kosova të jetë pjesë e tavolinës si të gjithë partnerët tjerë’’, tha Rafuna për FrontOnline.

    Kjo masë, sipas Rafunës,  nuk paraqet pengesë për investitorët vendas, por i jep mundësi Serbisë të pozicionohet si viktimë në këtë situatë.

    Rafuna shprehu shqetësim për pasigurinë që ka shkaktuar vendosja e kësaj mase, e cila ka ngritur dyshime te investitorët e huaj për mundësinë e eksportit në tregjet si Serbia dhe Maqedonia.

    “Nuk përbën ndonjë problem për investitorët e brendshëm ky vendim, kjo vetëm i hapw rrugë Serbisë që të luajë rolin e viktimës dhe t’i hapë shumë dyer që nuk ka mundur t’i hapë në mënyrë diplomatike më herët , nuk ka qenë sinjal i mirë për investitorët e huaj vendosja e kësaj mase për arsye se ka shkaktar pasiguri në qoftë se investojmë në KOSOVË E PRODHOJMË në Kosovë a mund të eksportojmë në Serbi ose Maqedoni’’, u shpreh Rafuna.

    Ai kërkoi heqjen e masave të ngjashme për kufijtë e tjerë sepse sipas tij bizneset që vijnë nga Bujanoci  dhe  Lugina   e  Preshevës produktet e tyre duhet t’i dërgojnë në distanca të largëta gjë që është një sfidë për ta.

    ‘’ Të vetmen sfidë që e shoh kanë për të pasur bizneset që vijnë nga Bujanoci të anës së Lugina ës së Preshevës për arsye se ato tani produktet e tyre duhet ti dërgojnë në Merdarë që është goxha një hapësirë mbi më shumë se 100km për të hyrë deri në nën  kalimin kufitar Merdarë dhe kërkesa jonë do të ishte që të hiqej edhe për kufijtë tjerë e jo vetëm për Merdare’’, përfundoi Rafuna.

     

    Mustafë Kadriaj për heqjen e masës kufitare : Veprim burrështetasi nga Kryeministri Kurti

    Mustafë Kadriaj, ekonomist, e vlerësoi heqjen e masës kufitare nga Qeveria Kurti si një veprim të rëndësishëm, siç tha ai, të një burrështetasi.

    Ai theksoi nevojën për të vepruar sipas parimeve të ekonomisë së tregut, duke theksuar se garancitë nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian janë përfitime të rëndësishme.

    ‘’ Ndoshta ndër veprimet që ka qenë për mua i pranueshëm nga qeveria Kurti është ky i heqjes së masës kufitare për arsye që ne duhet të punojmë me parimet e ekonomisë së tregut dhe në fakt gradacioni nga ana e shtetit gjerman dhe nga ana e BE-së është diçka e mirë se ardhur, për mua ky vendim ka qenë një potezë burrështetasi dhe në këtë drejtim e kam vlerësuar ‘’,tha Kadriaj për FrontOnline.

    Ai theksoi se është e rëndësishme që Kosova të mos bie ndesh me politikat e ekonomisë së tregut dhe të përmbushë angazhimet ndaj miqve ndërkombëtarë dhe tha se ky veprim është një hap pozitiv, edhe nëse ka ardhur me vonesë.

    ‘’ Është e rëndësishme që shteti i Kosovës të mos bien ndesh me politikat e ekonomisë së tregut dhe miqve ndërkombëtarë. Pra për mua kjo është normale duhet të bëhet sepse duhet të funksionojmë përmes ekonomisë së tregut sepse edhe ashtu neve vazhdimisht na kanë atakuar ndërkombëtarët sepse ne nuk mundemi të jemi përkrah tyre e të mos i përfillim parimet e ekonomisë së tregut kështu që për mua është e mirë se ardhur dhe ka qenë veprim i vlerësuar edhe pse i vonuar’’, tha Kadriaj.

     

    Punimet në rrjet, KEDS njofton për vendet që s’do të kenë rrymë
    Nga Rubrika
    Lajme08 Tetor 2024
    Mustafë Kadriaj, ekonomist, e vlerësoi heqjen e masës kufitare nga Qeveria Kurti si një veprim të rëndësishëm, siç tha ai, të një...
    Lajme08 Tetor 2024
    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, i ka komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili javën e kaluar...
    Lajme08 Tetor 2024
    Ministri i Financave, Hekuran Murati iu është përgjigjur opozitës pas reagimeve të tyre lidhur me rritjen e pensioneve. Murati përmes një shkrimi...
    Të tjera
    Lajme08 Tetor 2024
    Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë dhënë detaje nga aksioni i përbashkët në Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Sipas...
    Lajme08 Tetor 2024
    Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale me anë të një komunikate të përbashkët kanë njoftuar se përgjatë bastisjes në aksionin e Ministrisë...
    Lajme08 Tetor 2024
    Trim Syla, i cili njihet për aksionet e tij simbolike këtë herë është rikthyer me një parull pasi në Kosovë hyri kamioni...
    Bota/Rajoni08 Tetor 2024
    Policia e Shtetit ka bërë të ditur se një shtetas malazez ishte arrestuar në dalje të Shqipërisë. Në njoftimin e lëshuar thuhet...
    Lajme08 Tetor 2024
    Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë mbajtur gjatë ditës së sotme konferencën përgatitore për gjykimin në çështjen Januzi dhe të...
    Lajme08 Tetor 2024
    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë dhënë detaje për vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.