Hungaria ka shënuar rekord të rasteve ditore të infektimeve dhe viktimave të koronavirusit pasi regjistroi 84 të vdekur dhe 3.989 raste të reja të infektimeve për 24 orë.
Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave në Hungari shkoi në 1.973, ndërsa shifra e përgjithshme e personave të infektuar në 86.769, shkruan The Guardian.
Hungaria tash për tash ka 63.940 raste aktive, ndërsa në spitale ndodhen 4.767 të infektuar, 348 prej të cilëve në ventilatorë.
Zyrtarisht, rreth 31.000 persona janë në karantinë shtëpiake, ndërsa mbi 1 milion e 111 mijë njerëz janë testuar deri më tani për COVID-19.
Qeveria hungareze është duke i mbajtur në fuqi disa masa kufizuese, siç janë ndalimi i tubimeve të mëdha, obligimi për të përdorur maska në mjedise të caktuara, ndalimi i vizitave në spitale dhe shtëpi të kujdesit si dhe mbyllja e restoranteve në orën 23.