“Hungaria nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.
Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto.
Szijjarto tha se qëndrimi i Hungarisë ka qenë i qartë qysh më parë dhe i njëjti nuk ndryshon.
“Ne jemi të rrënjosur për suksesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por besojmë se kandidatura e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare nuk i kontribuon atij dialogu. Hungaria nuk do të mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë kryediplomati hungarez.
Ai të mërkurën në Budapest është takuar me ministren e Ekonomisë së Serbisë, Adrijana Mesaroviq, me të cilën ka biseduar për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, para disa ditësh ka deklaruar se do të kërkohet ndihma e Hungarisë në lidhje me procesin e anëtarësimit në KiE.
Kjo deklaratë u bë pas takimit me ambasadorin hungarez në Kosovë, Bela Bozsik.
Aktualisht, Hungaria kryeson me presidencën e Bashkimit Evropian.