Komisioni Evropian ka paralajmëruar se planet e Hungarisë për ta importuar dhe me gjasë edhe për ta përdorur vaksinën ruse “Sputnik V” kundër koronavirusit ngrisin shqetësime për sigurinë dhe mund ta dëmtojnë besimin në vaksinat potenciale.
Një përballje për këtë çështje pritet të zhvillohet gjatë një video-konference të udhëheqësve të BE-së të enjten, ku pritet të adresohen plani i BE-së për rimëkëmbje nga pandemia dhe korniza buxhetore për shtatë vjet, të cilën e kanë bllokuar qeveritë nacionaliste të Hungarisë dhe Polonisë për shkak të kushtëzimit të qasjes në fondet e BE-së me respektimin e sundimit të ligjit.
Hungarezët po lanifikojnë të kryejnë testime dhe potencialisht edhe ta prodhojnë vaksinën ruse, që do të ishte hap i pashembullt i një vendi anëtar të Bashkimit Evropian, shtuar kësaj edhe mospajtimet tjera që ky shtet i ka me Brukselin.
I pyetur për planet e Hungarisë në këtë çështje, një zëdhënës i Komisionit Evropian tha: “Shtrohet pyetja se a dëshiron një vend anëtar t’ua japë qytetarëve të vet një vaksinë që nuk është vlerësuar nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve.”
Sipas rregullave të Bashkimit Evropian, vaksina “Sputnik V” duhet të autorizohet nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve para se të lëshohet në treg në cilindo prej 27 shteteve anëtare, shkruan The Guardian.