×
  • Lajme
  • Lajme

    Humbja e afateve/ Politika ia rrezikon Kosovës 1 miliard €

    FrontOnline
    09 Shkurt 2026

    Mbi një miliard euro fonde ndërkombëtare nuk po shfrytëzohen nga Kosova për më shumë se një vit. Shfrytëzimi i këtyre fondeve vazhdon të jetë peng i aprovimit nga Kuvendi i KosovësMungesa e institucioneve të reja përgjatë 2025-tës ia pamundësoi shtetit përfitimin e 882 milionë eurove nga Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) dhe të mbi 120 milionë eurove të tjera nga tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore.

    Këto marrëveshje ndërkombëtare mbërritën në duart e deputetëve të legjislaturës së tetë të Kuvendit, në fund të vitit 2024. Ratifikimin po e presin që atëherë.

    Nga Zyra e Bankës Botërore në Kosovë kanë pohuar muaj më parë për Radion Evropa e Lirë se afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes që parasheh financimin e politikës zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër, është 13 shkurti i vitit 2026, përkatësisht java e ardhshme.

    Kjo Zyrë bëri të ditur, gjithashtu, se Banka Botërore i ka miratuar edhe dy marrëveshje financiare me Kosovën: projektin e forcimit të Sistemit Shëndetësor – prej 18.6 milionë eurosh dhe projektin e arsimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme, po ashtu në vlerë prej 18.6 milionë eurosh.

    “Afati i fundit i hyrjes në fuqi për këto projekte është 30 prilli 2026, përkatësisht 7 maji 2026”, është thënë mes tjerash në përgjigje.

    Deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” e fajësojnë opozitën që Kosova nuk i ka përfituar këto fonde, përderisa opozita e fajëson partinë fituese të zgjedhjeve parlamentare, Lëvizjen “Vetëvendosje”.

    Deputeti i LVV-së: Përgjegjësia për fondet ndërkombëtare bie mbi opozitën

    Ardian Gola, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, për “Front Online” u shpreh se përgjegjësia për bllokadat institucionale dhe vonesat në miratimin e proceseve të rëndësishme bie mbi opozitën.

    Gola tha se opozita ka bërë obstruksione të vazhdueshme, si ndaj buxhetit, ashtu edhe ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Ai megjithatë është shprehur se nga këto veprime do të nxirren mësime politike.

    “Unë kam qenë në legjislaturën e tetë dhe përgjegjësia i bie legjislaturës së nëntë e nëse flasim me terma edhe më konkret i bie saktësisht opozitës. Tashmë është bërë krejtësisht e qartë se opozita ka bërë obstruksione edhe në raport me buxhetin, edhe me marrëveshjet ndërkombëtare. Uroj që politikisht të merret mësim nga gabimet e bëra. Shpresoj që ky gabim të përmirësohet”, ka thënë Gola për “Front Online”.

    Ferat Shala: Një miliard euro për Kosovën rrezikohen për shkak të moskrijimit të institucioneve

    Deputeti i rizgjedhur i PDK-së, Ferat Shala ka deklaruar për “Front Online” se Kosova po humb mundësinë për të përfituar një miliard euro nga fondet ndërkombëtare për shkak të moskrijimit të institucioneve dhe mungesës së procedurave parlamentare të rregullta.

    Ai ka theksuar se vonesat në krijimin e institucioneve po rrezikojnë ekonominë e vendit dhe mbajtjen në pritje të fondeve që presin tashmë më shumë se një vit.

    Nuk mund të alokohen fondet e BE, por edhe të Bankës Botërore dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtare pa u krijuar institucionet dhe pa kaluar këto në procedura të rregullta parlamentare. Kjo po rrezikon ekonominë dhe të gjitha fondet e tjera që presin tash e më shumë se një vit si rezultat i mos krijimit të institucioneve përgjegjësia direkt është për ata që edhe herën e kaluar dhe tani kanë marrë shumicën parlamentare”, tha Shala për “Front Online”.

    Lidhja e Bizneseve: Politika po luan me fatin e ekonomisë, një miliard euro në pritje

    Përfaqësuesi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, në njëprononcim për “Front Online” ka kritikuar skenën politike në vend, duke e cilësuar si të papërgjegjshme qasjen e pozitës dhe opozitës ndaj moskrijimit të institucioneve.

    Sipas tij, vonesat po rrezikojnë drejtpërdrejt ekonominë e Kosovës.

    “Është një mosseriozitet i skenës politike, i pozitës dhe opozitës, që po luajnë me fatin e vendit, ekonominë, bizneset dhe me mirëqenien e qytetarëve. Duhet të formohen institucionet sa më parë dhe të votohen sa më shpejt këto marrëveshje, sepse Kosova ndodhet në gjendje të rëndë ekonomike”, tha Dreshaj.

    Ai ka bërë të ditur se rreth një miliard euro fonde janë në pritje, ndërsa marrëveshjet përkatëse ende nuk janë votuar për shkak të krizës politike.

    “Një miliard euro janë në pritje, ndërsa politika vazhdon të vonojë, një papërgjegjësi kolektive e pozitës dhe opozitës që po rrezikon seriozisht ekonominë e Kosovës, të ardhmen e bizneseve dhe mirëqenien e qytetarëve, në një kohë kur vendi nuk ka më luks për bllokada institucionale”, u shpreh ai.

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve dhe faktorëve politikë që të veprojnë me përgjegjësi shtetërore, të tejkalojnë dallimet politike dhe të mundësojnë funksionimin e Kuvendit sa më shpejt.

    Eksperti i ekonomisë: Vonesat në Kuvend rrezikojnë dinamikën e fondeve të huaja

    Vonesat në konstituimin e Kuvendit të Kosovës mund të ndikojnë në dinamikën e përdorimit të fondeve ndërkombëtare, kështu po deklaron për “Front Online” eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri.

    Beqiri ka sqaruar se kjo situatë nuk do të thotë domosdoshmërisht humbje të menjëhershme të fondeve.

    “Nga pikëpamja ekonomike, vonesa në konstituimin e Kuvendit mund të ketë ndikim në dinamikën e realizimit të fondeve të huaja. Shumë nga këto mjete janë të lidhura me procedura formale, përfshirë miratimin parlamentar dhe përmbushjen e afateve të caktuara. Kjo situatë nuk nënkupton humbje të menjëhershme të fondeve, por mund të sjellë shtyrje në disbursim, rritje të pasigurisë institucionale dhe nevojë për riplanifikim të projekteve”, tha ai.

    Sipas tij, vonesat në funksionimin e institucioneve zakonisht ndikojnë në ritmin e investimeve publike dhe në efektet ekonomike që këto fonde synojnë të prodhojnë.

    “Vonesat institucionale zakonisht ndikojnë në ritmin e investimeve publike dhe në efektet ekonomike që këto fonde synojnë të gjenerojnë. Sa më shpejt të funksionalizohen institucionet vendimmarrëse, aq më i parashikueshëm dhe më efikas bëhet menaxhimi i fondeve dhe zbatimi i projekteve zhvillimore”, ka deklaruar Beqiri për “Front Online”.

    Nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i takuan rreth 882 milionë euro, për të cilat Kosova ka miratuar agjendën e reformave – pra, se ku do t’i shpenzojë ato.

    Mbi 90 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Financimit, mbështetje buxhetore për Kosovën nga ANZH e Bankës Botërore, e cila synon të përmirësojë ligjet për financat publike dhe politikat fiskale.

    Ndërkaq, 21 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Kredisë me ANZH-në për ndërtimin e çerdheve të reja për fëmijët, trajnimin e stafit dhe zbatimin e një skeme të kuponëve, përmes të cilëve familjet do të kenë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre në këto kopshte.

    E, Marrëveshja e Kredisë me ANZH-në, e destinuar për zhvillimin e Sistemit Informativ Shëndetësor në Kosovë, ka vlerën e 18 milionë e 600 mijë eurove./FrontOnline/

    Nga Rubrika
    Lajme03 Mars 2026
    E Ngarkuara me Punë e Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar sot me ministrin e Financave, Hekuran...
    Lajme03 Mars 2026
    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka ‘’detyrim’’ kushtetues me arrit konsensus për emrin...
    Lajme03 Mars 2026
    Presidentja Vjosa Osmani tha se ka folur me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, pas sulmeve të Iranit në territorin...
    Të tjera
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Gjysmëhëna e Kuqe, njoftoi sot se ka arritur në 787 numri i viktimave nga sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit. Organizata që...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka marrë masa për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, ku janë prekur edhe...
    Sport03 Mars 2026
    Arijanet Muric po tregon paraqitje të mëdha me Sassuolon këtë edicion në Serie A. Ylli i kombëtares së Kosovës në ndeshjen e...
    Lajme03 Mars 2026
    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci tha se opozita duhet të marrë pjesë në votimin për Presidentin, ndërsa po raportohet se kjo...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Teherani i paralajmëroi vendet evropiane  kundër bashkimit me luftën kundër Iranit, pasi shumë vende thanë se mund të ndërmarrin “veprime mbrojtëse” përballë...
    Lajme03 Mars 2026
    Avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon ka kërkuar që dëshmitari Koen Herlaar të detyrohet që t’iu përgjigjet të gjitha pyetjeve ose dëshmia...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.