Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur sot një konferencë për media.
Hoxhaj ka thënë se konfirmimi i aktakuzës ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe ndaj Presidentit Hashim Thaçi, si dy figura emblematike të luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të lirisë e pavarësisë së Kosovës, flet për një situatë të rëndë jo vetëm për Kosovën dhe aspiratat e saj shtetndërtuese, por në veçanti edhe për PDK-në.
“Unë jam i bindur që ata do të dalin fitimtarë e faqebardhë në këtë sfidë të panevojshme e të mundimshme sepse nuk kam asnjë dyshim që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë dhe e pastër për liri kundër një pushtuesi që po kryente masakra dhe krime kundër njerëzimit.”, ka thënë Hoxhaj.
Më tej, ai ka shtuar se e gjithë bota demokratike besoi në drejtësinë dhe legjitimitetin e luftës sonë prandaj edhe u solidarizua dhe ndihmoi në çlirimin e Kosovës nga regjimi gjenocidial i Millosheviçit.
“Në rrugën e saj të gjatë, me shumë sakrifica dhe duke paguar çmimin e madh të luftës, masakrave e vrasjen e mbi 10 mijë civilëve në vitet 98-99, Kosova po e paguan edhe një çmim tjetër në rrugën e rëndë të përmbylljes së shtetndërtimit të saj.”, ka thënë ai.
“Ne, miqtë dhe bashkëpunëtorët e z. Kadri Veseli e Hashim Thaçi, që rrugëtuam së bashku në shumë procese jetike për lirinë e pavarësinë e Kosovës, jemi krenar për ta, të arriturat e tyre dhe sjelljen shembullore prej liderësh historikë. Ata ishin në lartësinë e burrështetasve të rrallë, që përpara interesit të Kosovës dhe popullit të saj, nuk e vendosën asnjë interes tjetër personal, partiak apo politikë.”, ka thënë më tej U.D. Hoxhaj.