Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, sot ka takuar edhe biznesmenë e mësimdhënës të Gjilanit, para të cilëve ka shpalosur Planin e Rimëkëmbjes.
Duke theksuar që synojnë të rrisin ekonominë dhe krijojnë vende të reja të punës, Hoxhaj ka thënë se ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe atyre të mëdha, do t’u ofrojnë mbështetje direkte financiare për modernizim të teknologjisë dhe do t’u ofrojnë edhe ekspertizë profesionale.
Si kryeministër i ardhshëm, Hoxhaj ka thënë se do të angazhohet për sjelljen e investimeve të huaja në Gjilan.
“Për ne si Parti Demokratike e Kosovës është me rëndësi të ketë zhvillim të balancuar. Zhvillim i balancuar nënkupton jo gjithherë investimet duhet të ndodhin vetëm në Prishtinë. Zhvillim i balancuar do të thotë që duhet të ndodhë investimi edhe në Gjilan, edhe në Prizren, edhe në Pejë, edhe në Mitrovicë, edhe në Ferizaj. Përmes këtij zhvillimi të balancuar ne arrijmë t’i adresojmë sfidat në fushën e ekonomisë”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka përmendur vështirësitë me të cilat po përballet gastronomia gjatë periudhës së pandemisë dhe ka shtuar se prioritet i qeverisë së tij do të jetë zgjidhja e problemeve të këtij sektori.
Tutje, Hoxhaj ka takuar edhe mësimdhënësit e Gjilanit, të cilëve u ka premtuar rritje pagash.
“Do ta rikthejmë fuqishëm dinjitetin e mësimdhënësit dhe vendimin e parë që do ta marr në qeveri, le ta dëgjojnë të gjithë prej Gjilanit, çdo mësimdhënës në nivel të vendit, ata të cilët janë në shkolla fillore, ata të cilët janë në shkollat e mesme, do të kenë një pagë minimale 600 euro, 700 euro në shkollë të mesme dhe ky është zotim që e kemi mbajt në të kaluarën. Ky është zotim që do ta mbajmë edhe sot”, ka thënë ai.
Para mësimdhënësve të Gjilanit, Hoxhaj ka prezantuar edhe planin e PDK-së sesi do të mbahet mësimi në kohë pandemie.
“Ne e dimë në 100 ditshin e parë në çfarë forme kemi me e bë procesin mësimor më të lehtë, më të thjeshtë dhe më të mundshëm, nëse kalohet komplet në këtë pjesën online, duke pajisur çdo nxënës me tablet dhe çdo profesor me tablet. Duke iu ofruar trajnime juve dhe duke pa se çka të bëjmë me kalendarin shkollor në mënyrë më fleksibile të mundshme, që as ju mos ta merrni këtë temë me stres, po as fëmijët dhe prindërit mos ta marrin me stres. Kemi plan të qartë se çka do të bëjmë në 100 ditshin e parë”, ka thënë ai.