Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, bashkë me sekretarin e partisë, gjithashtu kandidat për deputet, Uran Ismailin, përmes një adresimi kanë shpalosur programin e rimëkëmbjes së shëndetësisë në Kosovë.
Gjatë këtij adresimi, Hoxhaj gjithashtu kritikoi edhe qeveritë e kaluara në dështimin e tyre në mënaxhim të pandemisë dhe jo vetëm. Ai, gjithashtu, pati edhe disa fjalë për Albin Kurtin, liderin e VV-së, i cili kishte refuzuar të dalë në debat me Hoxhajn, me ftesë të këtij të fundit.
Hoxhaj tha se Kurti e ka provuar të qeverisë vendin, por ka dështuar. Tutje, tha se Kurti nuk është i denjë për kryeministër, sepse sipas tij, një qeveri e shëndetshme kërkon punë në ekip e nuk është shfaqje e një personi të vetëm siç është Albin Kurti.
“Ai tha se do të jetë Kryeministri, por më lejoni t’i them unë atij diçka. Ai nuk është i denjë për të qenë Kryeministër.. Sepse është një njeri i vetëm. Sepse ai nuk mund të bashkëpunoj. Ai e ka dëshmuar veten e tij. Qytetarët ja kanë dhënë atij një shancë. Dhe ai e ka hedhur poshtë atë. Qeverisja e Shëndetshme është Puna në Ekip. Jo një shfaqje i një njeriu të vetëm si z. Kurti.”, u shpreh kandidati për kryeministër Hoxhaj.
Kujtojmë adresimin e javës së kaluar që kandidati për kryeministër e bëri bashkë me kandidatin për deputet Bedri Hamza, ku folën për programin e rimëkëmbjes ekonomike në Kosovë.