Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj po merr pjesë në fushatën elektorale të kandidatit të PDK-së për kryetar të Podujevës.
Hoxhaj thotë se Naim Fetahu po merr përkrahje në këtë komunë, e këto komente i thotë së bashku me disa fotografi ku shihen persona të mbledhur në oda e shtëpi, pa maska dhe pa distancë.
Ai thotë se qytetarët atje janë lodhur nga keq qeverisja, edhe pse Hoxhaj së bashku me pjesëmarrësit shihet se nuk po respektojnë rregullat e vendosura nga shteti.
Ky është postimi i tij i plotë:
Në çdo cep të Podujevës, PDK po merr përkrahje të madhe nga të rinjtë, të rejat, burrat e gratë. Sot gjetëm mikpritje të ngrohtë në vatrat e shumë familjeve në Podujevë.Qytetarët e Podujevës më së miri e dinë se kë duhet ta votojnë me 29 nëntor, për të mirën e komunës së tyre – e ai është Naim Fetahu.
Qytetarët janë lodhur nga keq qeverisja 20 vjeçare. Me PDK-në, qytetit të Podujevës do t’i hapet një perspektivë e re, një e ardhme që premton zhvillim e mirëqenie për të gjithë pa dallim.
Podujeva meriton më mirë dhe më shumë. Zgjidhja për Podujevën është Naim Fetahu!