Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj në një tubim madhështor në Drenas ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes.
Hoxhaj ka thënë se Drenasi e Drenica i kanë dhënë Kosovës dy projekte të mëdha, UÇK-në dhe PDK-në, e fitorja e PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë jetësim i idealeve të dëshmorëve e heronjve te vendit.
“Fitorja e madhe e Partisë Demokratike të Kosovës i bjen nën një jetësim i idealeve të dëshmorëve, jetësim i idealeve të heronjve, jetësim i idealeve të veteranëve, të invalidëve të luftës, jetësim i idealeve të ish të burgosurve politik që i shoh sot këtu. I bie jetësim i idealeve edhe të UÇK-së edhe të PDK-së, se kah ka rrugëtuar UÇK ka rrugëtuar PDK, ka rrugëtuar liria dhe pavarësia e Kosovës”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka theksuar se PDK-ja është parti që ka dalë nga shtigjet ku ka ecur UÇK-ja dhe ai do t’i jetësojë idealet e të gjithë atyre që i kanë besuar Thaçi e Veselit duke e udhëhequr qeverinë e Kosovës.
“Një parti politike që ka lind në stuhi, një parti politike që ka dal prej shtigjeve ku ka ec UÇK-ja, një parti politike e cila ka dalë me idealet kah kanë dalë të burgosurit politikë prej okupimit serb, natyrisht që më së paku ta ngritnim flamurin e bardhë. Unë jam këtu që t’i jetësojë idealet e të gjithë juve, të gjithë atyre në Republikë të Kosovës që i kanë besuar Hashim Thacit, Kadri Veselit, PDK-së, UÇK-së duke udhëhequr qeverinë e ardhshme të Kosovës”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka thënë se fitorja e PDK-së do t’ua pamundësojë marrjen e shtetit në dorë atyre që nuk e kanë njohur dhe nuk e duan shtetin.
“Fitorja jonë do ta pengojë marrjen e shtetit në dorë dhe atyre të cilët nuk e kanë njohur, nuk e duan, nuk e çmojnë këtë shtet. Në këtë drejtim unë dua që askush tjetër në Drenicë, se Drenica është zemra e PDK-së, zemra e UÇK-së të merr vota përvec PDK-së , ka thënë ai.
Ndërsa, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se këto zgjedhje shumë të rëndësishme për PDK-në, jo vetëm për ta udhëhequr vendin, por edhe për ta mbrojtur shtetin tonë, të cilin e ndërtuam mbi gjakun dhe sakrificën e bijve e bijave më të mira të kombit.
“Dita e fitores po afron. Dilni e kërkoni votën për PDK-në në Komunën tonë dhe gjithandej ku keni familjarë, sepse keni argumente të mjaftueshme se jemi shembull në qeverisje, jemi shembull për performancë e transparencë. Ne dimë dhe kemi vullnet të punojmë për qytetarët dhe për Kosovën, sepse ne duam përparim. Sepse Kosova meriton më shumë. Kosova meriton më mirë.”, ka thënë ai.