Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot takimin përmbyllës në Prishtinë, me mijëra simpatizantë të kësaj partie. Kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj në tubim ka thënë se të dielën, më 14 shkurt, do të shkruhet një faqe e re në historinë e Kosovës.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, në tubimin e mbajtur në Prishtinë, I cili po transmetohet drejtpërdrejt në televizione vendore dhe media online, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është krenare me luftën e saj dhe me liderët e saj.
“Sot zërat tone, zërat tonë të fuqishëm dëgjohen në tërë vendin. I gjithë vendi po e sheh që sot PDK është rikthyer! Sot, zërat tonë – zërat tonë plot jehonë dëgjohen në gjithë botën! Zërat tonë po arrijnë në Hagë! Bota e sheh që ne qëndrojmë pëkrah themeluesve tonë. Ne qëndrojmë përkrah heronjëve tonë! Ne qëndrojmë përkrah historisë tonë! “, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj, gjithashtu tha se së shpejti do të kthehen heronjt tanë, Hashim Thaci dhe Kadri Veseli dhe së bashku me ta, edhe historia e Kosovës do te dalë e pafajshme.
“Së shpejti do të kthehen heronjët tonë. Të pafajshëm! Dhe së bashku me ta, edhe historia e Kosovës do të dalë e pafajshme! Ne bëjmë Historinë. Në luftë dhe në paqe. Ne nuk e fshijmë historinë siç bën Vetëvendosje.”, ka thënë Hoxhaj.
Tutje, ai tha se Vetëvendosje po e fshinë historinë e saj duke hequr të gjitha ato që kanë thënë dhe bërë deri në vitin 2014.
“Vetëndosje po fshinë historinë e saj duke hequr të gjitha ato që kanë thënë dhe bërë deri në vitin 2014. LVV është Mjegulla! PDK është Qartësia! Ne jemi qartësia dhe drita e re! Drita që do ta Rimëkëmbë Kosovën! Gjithçka e lidhur me ne është në dritë!”, ka thënë Hoxhaj.