Ka vetëm dy muaj që ka marrë drejtimin e partisë, si ushtrues detyre, por Enver Hoxhaj, si kandidat i kësaj partie për kryeministër thotë se ai mund të sjellë marrëveshjen finale Kosovë-Serbi. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hoxhaj thotë se njohjet e tij personale me liderët botërorë, si Joe Biden e Angela Merkel, do ta ndihmonin procesin duke sjellë njohjen e ndërsjellë dhe përfundimin e historisë së dhimbshme të Ballkanit.
Në këtë intervistë, ish-kryediplomati kosovar, shpalos detaje nga programi i PDK-së, ku përfshihet plani prej 1 miliard euro për rimëkëmbje ekonomike për të luftuar efektet e pandemisë së COVID-19.
Ai thotë se do t’i zbatonte të gjitha pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit. Në shtator, kur edhe përfundon moratoriumi për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, Hoxhaj thotë se do të aplikonte për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Hoxhaj thotë se nuk inkurajon tubimet masive për shkak të pandemisë, por pamjet nga tubimet e PDK-së flasin ndryshe.
Radio Evropa e Lirë: Kosova po mban zgjedhje në kohë pandemie. Por, të gjitha partitë politike, përfshirë edhe partinë tuaj, janë angazhuar në tubime masive, që janë në kundërshtim edhe me masat anti-COVID 19. Çfarë mesazhi po u dërgohet qytetarëve? Pse po mbahen takime të tilla?
Enver Hoxhaj: Mendoj që më së paku Partia Demokratike e ka përgjegjësinë pse vendi po shkon në zgjedhje të parakohshme dhe në një kohë pandemie, kur ishin dy qeveri të shkurtra, të kota, të cilat dështuan në menaxhimin e situatës. Qeveria Kurti u dorëzua, qeveria Hoti u shkarkua nga Gjykata Kushtetuese dhe më së paku dikush mund të kërkojë prej PDK-së pse kemi zgjedhje në pandemi.
Ndërsa, prej anës tonë, ne kemi bërë çdo gjë të mundur që realisht, qytetarët e Kosovës, t’i respektojnë masat, dhe unë vetë i kam respektuar masat.
Radio Evropa e Lirë: Por, shumë të tjerë që nuk po marrin pjesë në tubime, ankohen dhe shqetësohen për shëndetin e tyre për shkak të këtyre tubimeve masive. Cila është porosia juaj?
Enver Hoxhaj: Porosia ime është që të mos i votojnë ato dy parti politike, të cilat kanë mundur t’i ofrojnë stabilitet vendit, të cilat thirreshin koalicion i shpresës në vjeshtën e vitit 2019 dhe të cilat treguan që janë në fakt koalicion i shpresave të përmbysura, i premtimeve të papërmbajtura dhe i mashtrimeve.
Kush ka menduar që vendi do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në vitin 2021 në shkurt, dhe kjo është rezultat i dështimit të zotit Kurti(Albin Kurti) dhe zotit Hoti(Avdullah Hoti)?! Dhe, nuk mendoj se qytetarët do të duhej t’i mbështesnin kësaj here këta dy me vota, sepse të vetmin program që mund ta ofrojnë edhe pas 14 shkurtit është situata e paqartësisë politike dhe të vetmin program të qartësisë e stabilitetit e kemi ne.
Radio Evropa e Lirë: Kur po flasim për pandeminë, keni premtuar se do të investoni, do të thotë se e keni një plan rreth 500 milionë euro për të rimëkëmbur ekonominë, për t’i ndihmuar bizneset. Si do ta arrini këtë? Çfarë është plani konkret? Si do të krijohet ky fond?
Enver Hoxhaj: Ne e kemi një plan i cili nënkupton se do t’i ndajmë një miliard (euro) buxhet, për të menaxhuar pasojat e pandemisë, ndërsa kemi një fond prej 500 milionë eurosh, i cili synon që të ndihmojë ndërmarrjet e vogla, ndërmarrjet e mesme, ndërmarrjet e mëdha.
Mënyra e financimit të tij është më se e siguruar dhe e qartë. Për atë kemi thënë 500 milionë, nuk kemi thënë dy miliardë, pra është një qartësi e plotë. Duam që ta ruajmë stabilitetin makro-fiskal dhe makro- ekonomik, duam që të rrisim prodhimin vendor.
Por, nëse ne nuk arrijmë përmes këtij fondi që në formë të granteve që janë para të gatshme, pa kthim, t’i ndihmojmë bizneset e vogla, bizneset e mesme, bizneset e mëdha, jam i sigurt që ekonomia e Kosovës do të kolapsojë. Do të miratojmë shumë shpejt ligjin dhe në bazë të kritereve, të cilat do të determinohen me ligj, ne do t’i mbështesim ndërmarrjet e vogla, ndërmarrjet e mesme dhe ndërmarrjet e mëdha. Krahas kësaj, kemi edhe një qartësi të plotë se ne cilët sektorë do të duhet të fokusohet ekonomia e Kosovës. Prandaj, edhe platforma jonë për rimëkëmbje është, mbi të gjitha, për ta rimëkëmbur ekonominë e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Keni përmendur se deri në verë, keni dhënë një premtim se do të vaksinohet rreth 70 për qind e popullatës. Si do ta arrini këtë? Cilat vaksina do të ofrohen për qytetarët që dëshirojnë të vaksinohen kundër COVID-19?
Enver Hoxhaj: Së pari, të dy qeveritë kanë dështuar që të kontraktojnë vaksinën. Po të isha unë kryeministër…
“Qeveria Hoti dështoi në sjelljen e vaksinës”
Radio Evropa e Lirë: Qeveria aktuale, që është në detyrë, megjithatë thotë që ka arritur një marrëveshje?
Enver Hoxhaj: Kjo është më shumë një përrallë ditore sesa një fakt konkret. Dhe, unë mendoj se është detyrë e kryeministrit dhe e kryeministrave që të sigurojnë vaksinë, që të sigurojnë kontratë për vaksinë.
Përderisa Qeveria Kurti dështoi në sjelljen e testeve, Qeveria Hoti dështoi në sjelljen e vaksinës.
Unë, si kryeministër i ardhshëm, me kontaktet më të mira në botë, në Evropë, në Gjermani, në Austri dhe në SHBA, do të jem prej të parëve që do ta sjell vaksinën në Kosovë. Ndërsa, ne e kemi një hartë konkrete se ku do të ketë qendra të testimit, ku do të ketë qendra të vaksinimit dhe planifikojmë që gjatë vitit 2021, ta vaksinojmë gjysmën e popullatës, deri në 70 për qind. Kemi një kalkulim të saktë.
Por, në sektorin e shëndetësisë kemi edhe masa të tjera shtesë.
Mendojmë se duhet të ketë edhe 586 lloje të barnave falas për të sëmurët kronikë. Do t’i bëjmë sigurimet shëndetësore në tre mujorin e parë, ndërsa do të investojmë edhe në disa spitale rajonale, të cilat duhet të pajisen, ndërsa do të ndërtohet edhe Spitali i Prishtinës, meqë pandemia do të jetë temë dhe qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se virusi nuk do të zhduket me ardhjen e pranverës dhe me ngrohjen e motit. Do të jetë temë në 2021-n, 2022-n dhe dy qeveritë të cilat kanë dështuar që ta menaxhojnë pandeminë, duhet të dënohen me votë nga qytetari për mosmenaxhimin e pandemisë.
Radio Evropa e Lirë: A keni parashikuar ndonjë reformë, veçmas jemi të interesuar të dimë çështjen e pensioneve, asistencës sociale dhe pushimit të lehonisë?
Enver Hoxhaj: Premtime konkrete, jo premtime, zotime. PDK-ja në 2007-n, prej kësaj zyre, ku ne jemi duke e zhvilluar këtë intervistë, ka bërë zotime, të cilat i kemi mbajtur, në raport me çdo shtresë të qytetarëve. Dhe kësaj here, ne jemi të vendosur që t’i rrisim pensionet në 40 për qind për ata që janë pensionistë të moshës, për 30 për qind për ata që kanë dhënë kontribut në pension. Ne do t’i rrisim pensionet e veteranëve nga 170 në 300 Euro.
Ne do t’i rrisim pagat e mësimdhënësve në nivelin fillor në 600 euro për arsimtarët, 700 euro për profesorët e shkollave të mesme. Për policët 750 euro, për infermierët 650 euro, për mjekët specialistë 1,500 euro për profesorët universitarë 1,800 euro. Ne kemi një qartësi të plotë se si mund të financohet kjo rritje e pagave për arsye të thjeshtë.
Një mjek nuk do të rrijë në Kosovë nëse paguhet 701 euro apo 705 euro në vitin 2021, por do të shkojë në Gjermani sikurse kanë ikur shumë mjekë nga rajoni. Ndërsa cilësi në arsim, cilësi në shërbime publike, nuk mund të presë dikush me këtë nivel të pagave që kemi dhe do t’i rrisim pagat për të gjithë ata që janë në shërbimin publik për 30 për qind.
Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te rritja e pagave, secila parti politike gjatë fushatës ka oferta, le të themi, shumë gjeneroze. Por, si do t’i bindi qytetarët, se si do të arrini t’i rrisni pagat? A ka Kosova bazë të fortë ekonomike që t’i rrisë pagat?
Enver Hoxhaj: Mendoj që qytetarët janë të bindur se e vetmja parti politike që i ka rritur pagat në këtë vend është PDK-ja. Unë kam qenë në këtë zyrë, bashkë me zotin Hashim Thaçi, kur kemi premtuar se do t’i rrisim pagat, për arsimin, për shëndetësinë, për zyrtarët e tjerë që punojnë në administratë shtetërore. Për gardianët, zjarrfikësit dhe një gjë të tillë PDK-ja e ka bërë, ndërsa të tjerat asnjëherë nuk kanë pasur guxim.
Ne jemi parti e cila është e identifikuar me mbështetje të mirëqenies sociale, por jemi edhe parti e zhvillimit. Nuk ka ndonjë parti politike, e cila karakterizohet me vendimmarrje konkrete. Edhe kundërshtarët tanë, edhe votuesit e subjekteve të tjera politike, të VV-së, LDK-së, mua ma thonë sa herë lëvizi nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, nëpër lagje të qyteteve të ndryshme, thonë, dëgjo: Ne nuk jemi votues të juaj, por ndoshta kësaj here do t’iu votojmë.
A e dini pse? Sepse ju merrni vendime. Se të tjerët i kemi parë që po dorëzohen. E kanë parë zotin Kurti, i cili në krizën më të lartë të pandemisë, me argumente të rrejshme, u dorëzua para qytetarëve, dezertoi para qytetarëve. E kemi parë zotin Hoti, i cili nuk ishte në nivelin e përgjegjësisë, ta kuptojë se çfarë është pozita e kryeministrit që ta udhëheqë vendin, që ta menaxhojë situatën edhe në fushën e pandemisë.
Radio Evropa e Lirë: Por, të tjerët mund t’iu akuzojnë edhe ju se keni dështuar gjatë qeverisjeve të kaluara, që nuk e keni përmirësuar standardin jetësor në Kosovë? Si do t’u përgjigjeshit akuzave të tilla?
Enver Hoxhaj: Unë mendoj se PDK-ja ka qenë forcë e ndryshimit në këtë vend. PDK-ja do të mbetet forcë e ndryshimit në këtë vend. Është e vetmja parti politike e cila në këto zgjedhje, ka program konkret, ka ofertë konkrete, ka prioritete të qarta, të matshme, të cilat financohen.
“Kryetemë e dialogut është njohja e ndërsjellë”
Radio Evropa e Lirë: Flasim për prioritetet në politikën e jashtme, po e përfshijmë këtu edhe dialogun që udhëhiqet nga Brukseli. Ju keni qenë kritik kur ai rinisi në korrik të vitit të kaluar nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. Cila do të jetë qasja e PDK-së ndaj dialogut të Brukselit?
Enver Hoxhaj: Qasja e PDK-së është kjo. Kryetemë e dialogut është njohja e ndërsjellë. Dialogu teknik nuk do t’i sjellë asgjë Kosovës. Por, nuk ka njeri më të përshtatshëm në Kosovë në vitin 2021, i cili e njeh personalisht presidentin aktual Biden, i cili e njeh personalisht zotin Blinken, i cili është Sekretar Shteti, i cili e njeh personalisht Jake Sullivan, i cili është drejtor i Sigurisë Kombëtare, i cili e njeh personalisht Angela Merkelin, për të krijuar një momentum të ri dhe për të përmbyllur dialogun Kosovë-Serbi.
Radio Evropa e Lirë: Po thoni që dialogu do të kalojë në Uashington?
Enver Hoxhaj: Jo. Çfarë po them është kjo. Kosova duhet ta shfrytëzojë në mënyrë historike një shans, i cili është në vitin 2021 me Joe Bidenin president dhe sa gjatë është zonja Merkel kancelare që ta përmbyllë dialogun Kosovë-Serbi, me njohje të ndërsjellë.
Miqtë e Kosovës po plaken, gjeneratat e reja po vijnë në politikë, vëmendja ndaj Kosovës po humbet dhe kjo është arsyeja pse vendi ka humbur shumë kohë me këto qeveritë e fundit, edhe me qeverinë e zotit Haradinaj, qeverinë e zotit Kurti, edhe me qeverinë e zotit Hoti.
Disa prej tyre kanë qenë kundër Uashingtonit, disa prej tyre kanë qenë kundër Brukselit, Parisit dhe Berlinit. Dhe këto janë pasoja që ne i kemi në shkurtin e 2021-s. Dhe qytetarët e Kosovës e dinë. E matshme është për shembull çështja e liberalizimit të vizave. Po të merrej vendimi më 2016, sot do të lëviznin njerëzit pa viza. Në atë kohë e kanë pasur një kauzë të rrejshme, këta të gjithë që sot janë rivalë të PDK-së, Albin Kurti, Vjosa Osmani…
Radio Evropa e Lirë: Demarkacioni kaloi, por prapë liberalizimi nuk erdhi?
Enver Hoxhaj: Kjo tregon se arritjet e vonuara të një populli nuk janë arritje. Prandaj duhet të ketë vendosmëri, qartësi dhe mendim strategjik dhe unë mendoj se Kosova, me kandidaturën time si kryeministër, e ka një njeri i cili mund të përdorë kontaktet e tij për ta përmbyllur shtet-ndërtimin e Kosovës dhe për ta anëtarësuar Kosovën në OKB.
Radio Evropa e Lirë: Nëse flasim për Marrëveshjen e Uashingtonit, a do ta zbatoni atë?
Enver Hoxhaj: Natyrisht se po.
“Çështja se ku vendoset ambasada nuk është temë qenësore”
Radio Evropa e Lirë: Pra, po thoni që do ta zbatoni edhe pikën që ka të bëjë me vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem?
Enver Hoxhaj: Unë mendoj se njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është një lajm i mirë. Unë kam qenë ministër i Jashtëm gjatë i Kosovës, dhe natyrisht kam punuar që edhe Izraeli ta njohë Kosovën dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës është një lajm i mirë, të cilin e kemi përshëndetur dhe vetëm kur janë vendosur marrëdhëniet diplomatike, Izraeli e ka njohur Kosovën, çfarë unë kam insistuar gjatë, se do të thotë ka pasur përpjekje vetëm atë deklaratën ta interpretojnë si njohje, ndërsa se si e ka menaxhuar Qeveria e Kosovës dhe se si po bën përpjekje ta menaxhojë Lëvizja Vetëvendosje, është totalisht e gabuar.
Qeveria e Kosovës do të duhej t’i informonte disa shtete, të cilat mund të kenë shqetësime të caktuara, paraprakisht për këtë temë, edhe BE-në, edhe shtete të caktuara arabe. Ndërsa, LVV-ja tregon që nuk ka politikë parimore. Ata gjithmonë kanë thënë se nuk pranojnë kushte dhe kësaj here po pranojnë kushte. Unë mendoj se qasja jonë është në linjë me atë se si e tha edhe sekretari (Antony) Blinken.
Ne e përshëndesim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Izraelit dhe se çështja se ku vendoset ambasada nuk është temë qenësore. Sikurse, unë kam mirëkuptim të plotë për të drejtën e palestinezëve që ta kenë shtetin e tyre, diçka çka e mbështet edhe SHBA-ja, e mbështet edhe BE-ja, e mbështet edhe Shqipëria.
Radio Evropa e Lirë: Te përfaqësimi i Kosovës jashtë vendit, shërbimi i jashtëm në një farë forme është kritikuar për punësimin e familjarëve të politikanëve apo anëtarëve të partive të ndryshme politike. Meqenëse pozitat kryesore në shtetet kryesore janë të zbrazëta, a premtoni se ato do të plotësohen me diplomatë të karrierës?
Enver Hoxhaj: Çka ne duhet të bëjmë në politikën e jashtme është që t’i kthehemi asaj çka është politikë e jashtme dhe çka është politikë e brendshme. Çka është politikë e jashtme është kjo: Duhet të përfundojë suspendimi dhe moratoriumi i politikës së jashtme që e ka bërë Qeveria Kurti dhe që e ka bërë Qeveria Hoti me paaftësinë e tyre.
Duhet të hiqet vetoja që e ka vendosur Serbia në politikën e jashtme të Kosovës. Realisht, Kosova në vitin 2020 është sjellë më shumë si një entitet, si një protektorat i kohës së UNMIK-ut, sesa një shtet me sovranitet. Ndërsa ne, do të kemi qartësi të plotë se çka është e rëndësishme. Nën një, do të aplikojmë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, dhe i kemi votat, dhe tash në kontekstin e pandemisë, është prioritet i dorës së parë. Do të aplikojmë në Këshillin e Evropës. Mbi të gjitha, gjatë mandatit tim si kryeministër…
Radio Evropa e Lirë: Kjo pas moratoriumit njëvjeçar që është nënshkruar në Uashington apo jo?
Enver Hoxhaj: Pikërisht, aplikimet e para për ta thyer moratoriumin do të jetë OBSH-ja, do të jetë Këshilli i Evropës, do të jenë edhe organizata të tjera. Unë nuk do të lë gur pa lëvizur, për ta rritur numrin e njohjeve të Kosovës në 2/3, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me 2/3 e shteteve të botës dhe në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ta arrijmë një marrëveshje të normalizimit, e cila duhet ta ketë kryetemë dhe kryeqëllim dhe rezultat përfundimtar njohjen e ndërsjellë.
Ky do të ishte edhe fundi i historisë në Ballkan sikurse e njohim Ballkanin, vetëm atëherë kur ka njohje reciproke Kosovë – Serbi. Ndërsa, tek emërimet, emërimet janë temë vetëm kur s’ka politikë të jashtme. Kur s’ka politikë të jashtme, njerëzit merren me tema të brendshme. Në asnjë vend tjetër, askush nuk merret me çështje të tilla.
Radio Evropa e Lirë: A keni partner preferencial për të formuar koalicion qeverisës?
Enver Hoxhaj: Më lejoni të them se si i shoh këto zgjedhje. Unë mendoj se këto zgjedhje janë historike për atë, jo vetëm se çka ndodh më 14 shkurt, por se çfarë do të ndodhë edhe me të 15-tin. Unë jam i vetmi kandidat që ka program të qartë, i cili ka prioritete të qarta, i cili ka edukim perëndimor dhe unë jam i vetmi kandidat i cili është anti- populist në këto zgjedhje. Të gjithë të tjerët janë me programe populiste në këto zgjedhje.
Nëse qytetarët e Kosovës duan ta ruajnë një demokraci të re, të cilën e kemi ndërtuar me shumë mund, nëse duan ta ruajnë ekonominë e tregut, të cilën ne e mbështesim dhe kemi politika të favorshme fiskale dhe mbështetje institucionale për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha; nëse qytetarët e Kosovës duan të kenë media të lira, ku ju neve na ballafaqoni me gjëra të drejtpërdrejta, me tema të këndshme dhe të pakëndshme, duhet të votojnë për PDK-në.
“Nuk kemi vija të kuqe”
Radio Evropa e Lirë: A keni vija të kuqe?
Nuk kemi vija të kuqe, por kemi parime. Prandaj, PDK-ja në këto zgjedhje garon e vetme, me identitet të qartë me program të qartë dhe ne kemi parime, kemi objektiva, kemi vlera. Me ata, të cilët janë populistë dhe të cilët kanë filozofi nihiliste, pretendojnë se çdoherë ia nis bota prej fillimit me ta, sikurse pretenduan ‘koalicioni i shpresës’ në vjeshtën e 2019-s. Flisnin në Kuvendin e Kosovës për fundin e historisë, por çfarë kemi parë, ishte fundi i dy qeverive më jetëshkurtra në jetën politike të Kosovës.
Dhe, qytetarët e Kosovës duhet t’i shohin këto zgjedhje si historike me votën që do t’ia japin PDK-së, numrit 134, kandidaturës sime, e cila është kandidaturë evropiane, nëse duan ta shohin këtë vend të lëvizë drejt Evropës. Nëse duan ta shohin këtë vend duke lëvizur drejt klisheve të së kaluarës, drejt përçarjes politike, drejt politikës së mahallave, drejt thashethemeve ditore, është vendim i tyre. Unë garoj me qartësi dhe kam besimin e qytetarëve.
Radio Evropa e Lirë: E përmendët përvojën në politikë. Kosova, pas këtyre zgjedhjeve, do të përballet menjëherë me nevojën urgjente për zgjedhjen e presidentit të ri. A jeni të gatshëm, si parti politike që të arrini një konsensus kombëtar për të zgjedhur presidentin dhe për të evituar krizën, le të themi më të thellë kushtetuese në vend, që nga shpallja e pavarësisë?
Enver Hoxhaj: Unë garoj në këto zgjedhje për të qenë kandidat për kryeministër, dhe unë do të jem kryeministri i ardhshëm i Kosovës më 15 shkurt, në mëngjes herët, i tillë do të zgjohem nga gjumi. Ndërsa unë mendoj se Kosova do të duhej të ketë kapacitet që ta gjejë një president. Por, pyetja te presidenti është kjo: Cilin president duhet ta ketë Kosova president të saj në 2021-n?
“Kush mund të jetë president, është e parakohshme”
Radio Evropa e Lirë: A keni ju kandidaturë?
Enver Hoxhaj: Dikë që e izolon… Jo në zgjedhje ne garojmë për zgjedhje parlamentare, këto zgjedhje prodhojnë qeveri.
Radio Evropa e Lirë: Nëse flasim për një president konsensual, një person që po e cilësoni si të tillë…
Enver Hoxhaj: Unë mendoj se është temë e parakohshme…
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë është një nevojë urgjente, sepse vendi në maj do të mbetet pa president…
Enver Hoxhaj: Të shkojmë sipas radhës. Fillimisht, PDK-ja do t’i fitojë këto zgjedhje, do ta ketë shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Unë do ta drejtoj qeverinë dhe me drejtimin tim të qeverisë, natyrisht se ne do të gjejmë një njeri, i cili do të jetë, sikurse thotë Kushtetuta, në shërbim të vendit dhe në shërbim të interesave të qytetarëve dhe mbipartiak. Por, të flasim tash se kush mund të jetë president, unë mendoj se është e parakohshme.