Ish-kryediplomati i Kosovës Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e PDK-së, ka përkujtuar një datë të rëndësishme për Kosovën, atë të fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë, që ndodhi me 10 shtator të vitit 2012.
Në shkrimin e tij, Hoxhaj ka publikuar një fotografi të përbashkët me Hashim Thaçin, atëbotë kryeministër.
“Kjo datë, jo vetëm që ia ktheu popullit të Kosovës atë që i takon, qeverisje të plotë demokratike dhe një sovranitet të mirëfilltë, por hapi edhe një horizont të ri për vendin: Filloi të ushtrohej një politikë e jashtme më e pavarur, forcoi pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare me njohje të reja dhe anëtarësi të shumta në organizata ndërkombëtare, por edhe ndërtoi një partneritet të barabartë me bashkësinë ndërkombëtare. Jam shumë krenar që si ministër i jashtëm kam koordinuar, me mandat të Kryeministrit Thaçi, procesin e përmbylljes së pavarësisë, duke vendosur themelet e politikës së jashtme!”, ka shkruar Hoxhaj.
Tutje, ai ka theksuar se sot Kosova është nën sanksione perëndimore.
“Ku jemi sot? Shtatori i 2012 ishte ngjarje e pjekurisë so politike, por shtatori i 2024 është dëshmi e papjekurisë sonë politike. Në vend se të ndërtohet edhe më shumë identiteti kushtetues dhe shtetëror, Kosova është nën sanksione perëndimore dhe Kushtetuta shkelet çdo ditë. Në vend që të ndërtohen marrëdhënie edhe shumë më të mira me shtetet e rajonit, me aleatet e saj në Evropë, Amerikë dhe botë, Kosova ka mbetur pa aleatë, pa kredibiltet dhe mjerisht, nuk merret seriozisht! Në shtator rë vitit 2012 ishte shembull i zbatimit të obligimeve të marra nga partnerët e Kosovës, sot është shembull që gënjen dhe mashtron aleatët më strategjikë, ku qeverisja e saj mjerisht shihet njëjtë në Perëndim dhe në Lindje si grandavec, sherraxhi dhe zhurmaxhi!”, ka shkruar Hoxhaj.