Enver Hoxhaj, ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së, ka thënë se ka qenë i pashmangshëm krijimi i Gjykatës Speciale.
“Ka pasur deklarata nga Amerika, nga ish zv/presidenti aso kohe, Joe Biden, se nëse nuk e formon Kosova Gjykatën Speciale, e formon OKB-ja. Dhe ka pas një kushtëzim nga partnerët tanë që kjo të ndodh”, ka thënë Hoxhaj në emisionin “Debat” të RTK-së.
Sipas tij, sot është lehtë të flitet se çfarë kemi mundur të bëjmë. “Por sot mund të them se qasja jonë ka qenë që kjo mos të ndodh, por ka qenë kushtëzim dhe kërkesë e partnerëve tanë. Dhe mbi të gjitha, ka ndodh sepse në atë kohë në analizën tonë, pasojat do të ishin të mëdha sikur ne mos ta formonim Gjykatën”, ka thënë Hoxhaj.
Ia ka shtuar se në Kosovë ende është në fuqi rezoluta 1244 dhe UNMIK-u.
“Ne ende në Kosovë e kemi UNMIK-un dhe Rezolutën 1244 në fuqi. Prandaj e kemi pas frikën se nëse krijohet një gjykatë ndërkombëtare, do të ishte shumë më keq. Sot kur e nxjerrim bilancin, nuk i kemi opinionet e njëjta. Veseli dhe Thaçi ivendosen interesat e Kosovës para atyre personale. Mënyra se si Veseli ka reaguar është sjellje që tregon për një qëndrim burrështetas, edhe pse çmimi individual është i lartë”, ka thënë Hoxhaj.