Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka përkujtuar 40-vjetorin e demonstratave studentore, si një moment kthese në historinë e Kosovës, duke i hapur rrugë luftës për çlirimin e vendit nga okupimi represiv serb dhe të drejtën për pavarësi.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se pranvera e vitit 1981 shënoi moment kthese në historinë e Kosovës.
“Demonstratat e nisura në mars të 1981-ës i hapën rrugë luftës për çlirimin e Kosovës nga okupimi represiv serb dhe të drejtën për pavarësi. Për të gjithë studentët dhe pjesëmarrësit në këtë demonstratë që përshpejtoi rënien e ish-Jugosllavisë shpreh respektin, mirënjohjen dhe konsideratën më të thellë, për kontributin e pashoq për avancimin e çështjes së Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka thënë se populli i Kosovës asnjëherë nuk u ndal para shtypjes së regjimit serb dhe përkundër burgosjeve masive, rrahjeve, dënimeve, e vrasjeve, shpirti çlirimtar po forcohej më shumë se asnjëherë.
“Ky popull nuk e duron shtypjen. Ky popull nuk e duron padrejtësinë. Prandaj, edhe e arritëm çlirimin final të Kosovës dhe pavarësinë e saj”, ka thënë Hoxhaj.
Më 4 mars 1981, studentët e Kosovës organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981. Si pasojë e demonstratave të studentëve erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur.
Por përsëri, organet shtetërore ndërhyjnë me tërë brutalitetin e tyre gjatë tubimeve, dhe ish-armata jugosllave pushtoi rrugët e Kosovës, dhe në tërë territorin u vendos gjendja e jashtëzakonshme, e më vonë edhe shtetrrethimi. Demonstratat gjithëpopullore të marsit dhe prillit shënuan fillin e kthesës vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-Jugosllavia.