Deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, i ka kujtuar kryeministrit të vendit Avdullah Hoti deklaratat të cilat i ka dhënë kundër idesë së mini-shengenit. Ai tha se nuk mund ta kuptojë ndryshimin e qëndrimeve të kryeministrit lidhur me këtë temë.
Hoxha tha se marrëveshja për krijimin e zonës mini-shengen është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Nuk po mund të kuptoj ndryshimin e qëndrimit tuaj dhe të partisë tuaj në lidhje me këtë temë. Ende pa u bërë një vit nga deklarata juaj e fuqishme kundër kësaj ideje ju u kthyet dhe e pranuat mini-shengenin. A mund të na tregoni çka ndodhi me ju, pse i ndryshuat këto qëndrime menjëherë pasi erdhët në Qeveri, ku është qëndrueshmëria e juaj politike. A nënkupton kjo që për pushtet ju jeni në gjendje që t’i ndryshoni edhe mendimet e juaja profesionale si ekonomist që jeni, pasi që mini-shengenin e keni quajtur të dëmshëm edhe në aspektin ekonomik. Më befason edhe qëndrimi i partive të tjera që i keni në koalicionin qeveritar, të cilat kur janë në Kosovë e kundërshtojnë fuqishëm mini-shengenin, ndërsa kur janë në bisedime pajtohen për të njëjtën çështje”, tha ai.
Ai tha se vizioni i vetëm i Kosovës duhet të mbetet anëtarësimi në BE dhe në zonën shengen e jo në zonën mini-shengen, si dhe anëtarësimi në NATO.
Hoxha tha se nuk duan që në asnjë rrethanë të zëvendësohet perspektiva euroatlantike me çfarëdo iniciative tjetër rajonale.