Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se është vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta anti-Covid.
Kjo u vendos në takimin që kryeministri Hoti pati me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Hoti, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se nga qytetarët kërkuam që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale.
Postimi i tij i plotë:
Në takim me ministrin e Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, z. Naser Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së, z. Valbon Krasniqi, vendosëm që të mbesin në fuqi masat e njëjta anti Covid-19.
Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrij kontingjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve.
Nga qytetarët kërkuam që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa institucionet përgjegjëse të shtojnë angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi.