Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin Klan Debat, ka folur rreth menaxhimit të pandemisë, arrestimeve nga Specialja, por edhe situatën politike në vend.
Hoti ka komentuar kritikat e opzitës që thonë se pandemia s’po menaxhohet mirë, teksa thotë që gjendje e njëjtë është edhe në shtetet e tjera.
Sa i përket arrestimeve për krerët e lartë politikë nga Gjykata Speciale, ai tha se do të shfrytëzojnë të gjitha instrumentet e Kushtetutës për t’iu dalë në ndihmë atyre.
“Në momentin që u themelua Gjykata Speciale në vitin 2015, ka qenë të pritura që të ndodhin arrestime. Sigurisht ne nuk e kemi ditur se kush do të jetë i akuzuar, kur dhe për çfarë vepra. Por, s’është çështje krejt e papritur. Unë, vlerësoj sjelljen e atyre që janë akuzuar, tani që janë në gjykatë në Hagë. Një sjellje shtetërore, dinjitoze, me maturinitet dhe kjo është duke u vlerësuar nga të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë.
Pasi që s’është e lehtë për një vend të ri të merret presidenti, dy ish-kryetar të Kuvendit, shefi i një grupi parlamentar dhe ka sjellje të matur shtetërore edhe të tyre, por edhe shoqërisë. Tash jemi në këtë situatë të jemi do të shfrytëzojmë instrumentet e Kushtetutës dhe ligjor që kemi në dispozicion për t’iu dalë në ndihmë këtyre që janë të përfshirë. Ne ofrojmë mbështetje për mbrojtjen e tyre, një mbështetje e përcaktuar me ligj në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”.
Ndërsa, Hoti tha se sa i përket zgjedhjes së presidentit janë vetëm dy opsione, ai i një emri të përbashkët me dakordim të partive politike, ose shkuarja në zgjedhje.
“Është më se e qartë se vendi s’ka president edhe në bazë të Kushtetutës ne duhet ta zgjedhim presidentin e ri, për zgjedhjen e tij duhen së paku 80 vota në Kuvend, të cilat vota sigurisht ky koalicion qeverisës nuk i ka. Që nënkupton nevojën që ne të ulemi me partitë politike parlamentare opozitare për të parë nëse ka ka dakordim për zgjedhjen e presidentit, të cilën gjë shpresoj se do ta bëjmë së shpejti. Nëse ka dakordim të tillë, atëherë sigurisht duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve, sigurisht një datë e përshtatshme për qytetarët. Këto janë dy rrugë kushtetuese që do të ndiqen në javët dhe në muajt e ardhshëm.
Unë besoj se shpejtë do të organizohet tryeza e parë e partive ku do të shtrohen këto tema. Edhe unë po angazhohem në këtë drejtim. Nëse ka vullnet për zgjedhje të presidentit, për emra konkret, drejt një emri të përbashkët e nëse s’ka flasim për datë të zgjedhje. Tjetër opsion nuk ka”./FrontOnline/