Kryeministri aktual i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë ditës së djeshme ka nënshkruar një rregullore për organizimin e vendeve të punës në Zyrën e Kryeministrit, përmes së cilës ka themeluar Zyrën e ish-Kryeministrit.
Hoti, nënshkrimin e kësaj rregulloreje e ka quajtur hap të rëndësishëm në zbatimin e reformës në administratën shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e reformës për administratën shtetërore dhe krijon një model standard i cili do të ndiqet edhe nga ana e ministrive. Me qëllim që qeverisja të jetë efikase dhe e organizuar mirë, u kam kërkuar të gjithë ministrave ta kryejnë këtë reformë sa më parë dhe në përputhje të plotë me ligjin. Duke i vendosur kapacitetet profesionale në njësitë e duhura organizative eliminohen pengesat e panevojshme burokratike në kryerjen e detyrave qeveritare”, ka shkruar Hoti në Facebook.
E, një gjë e tillë është e paraparë edhe me Ligjin Nr. 03/L-001 për Përfitimin e ish Zyrtarëve të Lartë.
“Ish Zyrtar i Lartë” sipas këtij ligji konsiderohen: ish-Kryetari i Kuvendit, ish-Kryeministri, ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ish Kryeprokurori i Shtetit dhe ish Kryetari i Gjykatës Supreme”, thuhet në pikën 1 të nenit 3 të këtij ligji.
Por, si e shohin përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, nxjerrjen e kësaj rregulloreje nga kryeministri Hoti.
Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, thotë për Front Online se me nxjerrjen e kësaj rregulloreje Hoti, nuk ka bërë asnjë të keqe pasi që një gjë e tillë është e paraparë edhe me ligj.
“Është në rregull në rast se ish-kryeministri nuk është që mban funksione tjera publike ose politike. Mirëpo është një zyre të paktën deri në zgjedhjen e kryeministrit tjetër në mënyrë të vazhdueshme që ai me pas edhe një mandat tjetër që më ushtruar veprimtarinë e tij. Mua po më duket që është në rregull dhe nuk ka ndonjë të keqe”, ka thënë ai.
Ndërsa, Emir Abrashi, hulumtues në Demokraci Plus, thotë për Front Online se një praktikë e tillë është e njohur edhe në vendet tjera.
“Në parim, nuk ka ndonjë problem me themelimin e Zyrës së ish-Kryeministrit, pasi që një gjë e tillë vetëm është e paraparë edhe me Ligjin Nr. 03/L-001 për Përfitimin e ish Zyrtarëve të Lartë, Ligj ky i cili parasheh edhe statusin dhe pagën e ish-Zyrtarëve të lartë të shtetit (ish-Kryetarit të Kuvendit, ish-Kryeministrit, ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ish-Kryeprokurorit të Shtetit dhe ish-Kryetarit të Gjykatës Supreme). Kjo praktikë është e njohur edhe në vendet të tjera, dhe ajo që ka bërë Kryeministri Hoti është nxjerrja e një Rregulloreje e cila e adreson, ndër të tjera, edhe këtë çështje të paraparë edhe me Ligjin në fuqi”, ka thënë ai.
Ndërsa, duke folur për rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në zyrën e kryeministrit, Abrashi thotë se ky është një hap pozitiv për t’I dhënë fund keqpërdorimit të pizitave në zyrën e të parit të Qeverisë.
“Në anën tjetër, Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit, të cilën e ka nënshkruar Kryeministri Hoti, mendoj se është një hap pozitiv për parandalimin e keqpërdorimit me pozitat në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, dhe i jep fund një praktike të njohur deri më tani – asaj të shpikjes së pozitave të reja për të rehatuar militantë partiak”, ka pohuar ai.
Kjo rregullore pritet të hyjë në fuqi brenda dy javësh./Front Online/