Paraditen e së mërkurës, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Judikaturës, Shërbimit Korrektues, Punonjësve Social, Sindikatës së Policisë, ata të Zjarrfikësve, Sindikatës së Shërbimit Korrektues, Administratës së Pavarur, Sindikatës së Shërbimit Civil, ata të punëtorëve të ATK-së dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Infermierëve.
Në këtë takim sindikalistët paraqiten një varg kërkesash bashkë me shqetësimin e tyre se, qasja e institucioneve nuk ka qenë e barabartë për secilin sektor, duke theksuar se ata po ndjehen të anashkaluar dhe të diskriminuar.
Hoti shprehu gatishmërinë që t’i trajtojë të gjitha kërkesat veç e veç dhe të shikohen se cilat janë mundësitë buxhetore për përmbushjen e tyre.
Ai u zotua para përfaqësuesve të sindikatave se Qeveria në detyrë do të paguaj të gjithë sektorët ku ka pasur angazhim shtesë dhe rrezikshmëri në punë, për shkak të pandemisë Covid -19.
Hoti ka theksuar edhe se shumica e kërkesave të sindikalistëve do të gjejnë zgjidhje me Ligjin e Pagave, i cili ka qenë i gatshëm për debat publik qysh në tetor, por janë shtyrë procedurat për shkak të pandemisë Covid-19.