Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thënë se shpreson që Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike do të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve pa përjashtim.
Hoti gjatë seancës se Kuvendit të Kosovës ka thënë se Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike ka krijuar një momentum të ri.
“Ndihem mirë që sot erdhëm në këtë pikë ku u bëmë bashkë për t’ju dal në ndihmë qytetarëve të vendit. Pakoja ekonomike prej 365 milion eurove, 80 për qind e saj është shpërndarë në masën më të madhe. Në bazë të studimit të FMN-së, pakoja jonë është ndër më të mëdha në regjion dhe më gjerë si për qind e bruto produktit vendor. Kemi arritur që ti parandalojmë largimin e bizneseve nga tregu dhe të parandalojmë që familjet të bijën në pragun e varfërisë”, ka thënë Hoti.
Ai, ka thënë se shpreson se ky ligj sot do të marr mbështetjen e të gjithë deputetëve pa përjashtim.
“Ligji i sotëm shpresoj që të marr mbështetjen e të gjithë deputetëve pa përjashtim, pasi krijo një momentum të ri. E veçanta në këtë ligj është tërheqja nga trusti pensional, mbi 200 milion euro qarkullim. Të gjitha këto mjete të pa tatimuara që do t’i marrin qytetarët”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Hoti./FrontOnline/