Ish-kryeministri i Kosovës, tash deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë për bllokim të projekteve kapitale në të gjithë Kosovën.
Sipas tij, dëmet për qytetarët dhe nga vonesa në projekte, prekin shifrën 1 miliard euro.
Ai ka përmendur autostradën për Gjilan, rrugën për Podujevë, për Mitrovicë, Gjakovë, Xërxë-Rahovec, si disa nga projektet kapitale të bllokuara nga ekzekutivi.
“Tanimë është e qartë se kjo qeveri nuk i ka prioritet këto projekte dhe nuk do t’i kryejë në mandatin e mbetur prej një viti e gjysmë. Kjo shihet edhe nga raporti i buxhetit për periudhën janar-mars 2023, ku pothuajse të gjitha projektet kapitale janë me shpenzime zero”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shtuar se Qeveria jo vetëm se nuk i shpenzon mjetet e veta, por i ka bllokuar edhe shumë projekte të komunave duke mos ua bartur mjetet vetanake.