Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nesër do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.
Takimi do të zhvillohet në ndërtesën e qeverisë së Kosovës duke filluar nga ora 09:30, shkruan lajmi.net.
Ky takim, midis kryeministrit të vendit dhe krye-diplomatit të Greqisë, shtet ky nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën po ndodh pas marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë në Uashington.
Muaj më parë, media të ndryshme evropiane kanë raportuar se Greqia, por edhe Spanja kanë zbutur qëndrimet e tyre karshi pavarësisë së Kosovës dhe në rast të një marrëveshje me Serbinë, ato do ta njihnin Kosovën.
Lajme të tilla ishin mohuar nga autoritetet e Greqisë, por, takimi Hoti – Dendias mund të jetë një shembull i zbutjes së këtyre qëndrimeve.
Agjenda e bisedës që do të bëhet midis Hotit dhe Dendias nuk është bërë e ditur ende për publikun, por mbetet të shihet se çfarë do të flasin dy liderët nesër.
Lajmi.net javë më parë ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë rreth kësaj çështje por nuk ka marrë përgjigje.