Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka prezantuar sot masat e reja anti-COVID të cilat do të hyjnë në fuqi që nga dita e premte.
Pas kësaj, kryeministri Hoti tha se këto masa hyjnë në fuqi që nga dita e premte dhe se ato do të jenë komplet në bazë të ligjit dhe se do të jenë masa ekstreme.
“Masat do të jenë komplet në bazë të ligjit, pra do të jenë masa ekstreme. S’kemi zgjidhje tjetër, po kalojmë në situatën më të vështirë në 20 vitet e fundit, kjo situatë krahasohet vetëm me luftën, imagjinoni prej se ka fillu pandemia janë 700 e disa raste me fatalitet, kjo është kohë lufte dhe kërkojmë mirëkuptimin e mbështetjen e secilit qytetarë që të kujdeset për familjarët, kolegët e pronari të kujdeset për sigurinë shëndetësore të klientëve. Pra duhet të përmbushen kushtet, nuk mund ta mbyllim komplet shtetin dhe ekonominë sepse do të ishte me pasoja fatale, por masat që kemi ndërmarrë qojnë në një situatë besoj me të përmirësuar”, tha Hoti.
Ai tutje shtoi se kërkon sinqerisht mbështetje edhe nga mediat që të paraqesin situatën ashtu siç është dhe nëpër të cilën jemi duke kaluar.
“Ju lus që të shkoni të shihni mjekët në Klinikën Infektive, apo në spitalet regjionale, duke e rrezikuar vetën dhe familjet e veta, shihni me çka përballen ata. Është e vetmja mënyrë që ne të arrijmë në secilën familje e të rrisim vetëdijen për seriozitetin e situatën nëpër të cilën po kalojmë”, tha ai.