Kryeministri Avdullah Hoti, në një takim me elektoratin në Deçan dhe Junik, ka thënë të enjten se me 700 milionë euro investime publike dhe me përkrahjen e remitencave nga diaspora, Kosova e ka kaluar krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia.
Hoti thotë se me përkrahjen e diasporës e kemi kaluar për 6 muaj.
“E falënderoj diasporën tonë të cilat me remitencat e tyre, më të mëdhatë që mbahen mend, gjatë vitit 2020 na ndihmua që së bashku me 700 milionë euro investime direkte në ekonomi ta tejkalojmë me sukses krizën e shkaktuar nga pandemia. Përderisa vendeve të rajonit ju nevojiten 3-4 vite për ta tejkaluar krizën e pandemisë, ne me përkrahjen e diasporës e kemi kaluar për 6 muaj”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryeministër.
Hoti tha se vetëm nga Marrëveshja e Uashingtonit, Kosova fiton 1 miliardë dollar investime direkte, ndërsa do të aktivizohen edhe 5 miliardë të tjerë në katër vitet e ardhshme.
“Me Komisionin Evropian kemi të kontraktuara 700 milionë euro investime. Ne e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë në shëndetësi pas gjithë atyre reformave të kemi nisur”, shtoi Hoti.