Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit Avzullah Hoti për mbyllje totale pas shtimit të rasteve pozitive me koronavirus.
Kreu i Prishtinës ka shkruar në Twitter se po shkohet prej ekstremit në ekstrem.
“Prej ekstremit në ekstrem! Hoti paralajmëron mbyllje totale”, ka shkruar Ahmeti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.
”Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa”, ka deklaruar Hoti.