Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë në T7 se VV nuk i ka votat e nevojshme për të rrëzuar Qeverinë.
Ai tregoi edhe për polemikën e tij me deputeten e VV’së, Mimoza Kusari. Hoti, që është në izolim pasi ka Covidin, ishte akuzuar për mos respektim të masave pasi ishte fotografuar me ekipin e Prishtinës pas fitores në Kupën e Kosovës.
“Unë i kam respektuar plotësisht protokollet. Nuk kam pasur asnjë shenjë më herët përveç një kollë shumë të lehtë. Më kanë rekomanduar testin, ndërsa menjëherë kam shkuar në shpi dhe jam izoluar”, tha ai.
Ai ka komentuar edhe inicimin e mocionit të mosbesimit nga VV.
“Qeverinë nuk e ka rrëzuar asnjëherë opozita. Ajo rrëzohet nga brenda. Opozita nuk i ka votat. Kemi nevojë të shqyrtojmë shumë çështje brenda koalicionit. Po punojmë për marrëveshjet e brendshme. Fokuset tona janë luftimi i pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike”, tha ai.