Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të hënën në Podujevë, se me LDK-në në krye të qeverisë, Kosova ka nënshkruar dy marrëveshjet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë, marrëveshjen për MSA-në me BE-në dhe marrëveshjen me DFC-në amerikane.
“Ka qenë nderi i jetës sime që në Uashington e kemi nënshkruar marrëveshjen më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. LDK ka qenë në krye të qeverisë kur është nënshkruar MSA-ja. Kjo ndodh sepse partnerët tanë na besojnë dhe e dinë se ne punojmë për të ruajtur kursin perëndimor të Kosovës”, tha Hoti.
Ai vlerësoi se oponentët e tij politikë nuk kanë kurrfarë vizioni për të ardhmen e Kosovës.
“Oponentë tanë në këtë garë, nuk janë të gatshëm për ballafaqim, nuk prezantojnë program as nuk janë të gatshëm për ballafaqim dhe me i lanë qytetarët të vendosin lirshëm. Njeri flet me megafon rrugës si në kohën e komunizmit, e tjetri lëshon fjalë të pamenduar dhe kur pyetet si bëhet kjo, thotë nuk e di por kështu me kanë thënë të them nëpër tubime”, tha kandidati i LDK-së.