Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se pauzimi i Kosovës për aplikim në organizata ndërkombëtare duhet parë në frymën e koordinimit të nevojshëm që i duhet Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar.
Hoti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka thënë se ShBA-të vazhdimisht e kanë përkrahur Kosovën në të gjithë mekanizmat ndërkombëtar, andaj moratoriumi për aplikim, siç janë marrë vesh në Shtëpinë e Bardhë, duhet parë edhe si afatizim për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.
Hoti: Moratoriumi për aplikim në organizata ndërkombëtare, këndvështrim i një afatizimi për marrëveshjen finale
“Edhe moratoriumin për aplikim duhet kuptuar në këtë frymë, pra në frymën e koordinimit të nevojshëm që ne na duhet me ShBA-të para së gjithash por edhe partnerët e tjerë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Edhe këtë duhet parë po ashtu nga këndvështrimi i një afatizimi të arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të ndodh siç kemi biseduar në këtë Kuvend me një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në çdo aspekt në mes të dy vendeve”, tha Hoti.
Në interpelancën në të cilën Hoti është thirrur të raportojë rreth vendimit për mos-aplikim në organizata ndërkombëtare për një vit, ka thënë se pavarësisht këtij vendimi, Qeveria e Kosovës po punon për përgatitjet për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar.
Hoti: nuk kemi pauzuar punën tonë për përgatitjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare
“Pavarësisht dakordimit për të pauzuar për një 1 vit për aplikim në organizata ndërkombëtare ne nuk po e pauzojmë punën tonë për përgatitjet për anëtarësi që duhet të bëjmë në organizata ndërkombëtare, përkundrazi ne po vazhdojmë koordinimin e plotë me gjithë partnerët dhe partnerin tonë kryesor ShBA-të që të sigurohemi që aplikimet tona në organizata ndërkombëtare nuk dështojnë siç ka ndodh në të kaluarën por rezultojnë me pranim të subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, tha Hoti para deputetëve.
Në shtator të këtij viti, në Shtëpinë e Bardhë ku Kosova dhe Serbia janë marrë vesh për normalizim ekonomik, Kosova ka pranuar të zbatojë një moratorium një vjeçar që ndalon aplikimin për tu anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.