Ka filluar seanca e Kuvendit në të cilën është duke raportuar kryeministri, Avdullah Hoti, për 100 ditëshin e Qeverisë së tij.
Hoti gjatë raportimit, theksoi se prioriteti kryesor gjatë kësaj periudhe, ka qenë lufta kundër pandemisë.
“Për këtë pandemi jemi sharë shumë edhe në këtë Kuvend, por sot jemi bërë shembull në rajon dhe më gjerë se si menaxhohet kjo situatë. Kosova është hequr nga lista e vendeve të rrezikshme dhe ata persona që kanë shtrembëruar të dhënat e numrit të infektuarve për ta nxjerrë vendin e tyre keq, sot duhet të turpërohen”, ka thënë Hoti, ndërsa ky moment është përcjellë me të qeshura nga deputetët e opozitës që ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit.
“Gjatë kësaj periudhe ne kemi ndarë fatin me gjithë botën në përballje me pandeminë. Me këtë rast, falënderoj të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë sfidë, stafin mjekësor, stafin mbështetës për angazhimin disa mujor.
“Falënderoj stafin policor, zyrtar të nivelit qendror e lokal, të bizneseve publike e private. Në këto 100 ditë të qeverisjes vlerësoj që kemi punuar shumë në parimet kryesore, në mbrojtjen e lirisë qytetare, të rendit demokratik dhe lirisë së shprehur.
Kryeministri Hoti vlerëson se gjatë kësaj periudhe është kthyer normaliteti dhe siguria në jetën e qytetarëve.
“Kemi vendosur miqësi të ndërtuara me dekada, të cilat ishin dëmtuar”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se prioritetet gjithashtu kanë qenë rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i dukurive negative veçmas krimit të organizuar dhe korrupsionit.
https://www.facebook.com/FrontOnlineMedia/videos/689442225026735/