Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë se jemi të bekuar që kemi pasur një prijës të tillë si ish-presidenti Ibrahim Rugova.
Hoti ka shkruar në ditën e ditëlindjes së ish-presidentit Rugova, teksa e portretizon me lavdet e fjalët më të mira.
“Ibrahim Rugova, intelektual i shkëlqyeshëm i vlerave të modernitetit perëndimor, njohës dhe afirmues i mrekullueshëm i trashëgimisë sonë letrare, kulturore e shpirtërore, vizionin e tij estetik për refuzimin e së keqes dhe shëmtisë e barti edhe në rrafshin politik, për t’i dhënë Kosovës dhe botës një model unik të udhëheqësit të urtë dhe konsistent, të prijësit fisnik dhe të moderuar”.
Shkrimi i plotë i Hotit:
Sot shënojmë datëlindjen e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, prijësit të vendit tonë në udhën e shenjtë për liri, pavarësi dhe demokraci!
Ibrahim Rugova, intelektual i shkëlqyeshëm i vlerave të modernitetit perëndimor, njohës dhe afirmues i mrekullueshëm i trashëgimisë sonë letrare, kulturore e shpirtërore, vizionin e tij estetik për refuzimin e së keqes dhe shëmtisë e barti edhe në rrafshin politik, për t’i dhënë Kosovës dhe botës një model unik të udhëheqësit të urtë dhe konsistent, të prijësit fisnik dhe të moderuar.
Jemi të bekuar që kemi pasur një prijës të tillë, i cili, duke i prirë vendit në vitet e një epoke, u shndërrua vetë në simbol të saj – simbol të pavarësisë së Republikës së Kosovës.