Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti i ka reaguar presidentit serb Aleksandër Vuciq, pas deklaratave për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi.
Hoti ka thënë se këto deklarata të Vuçiqit duhet të merren me shqetësim nga Bashkimi Evropian.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjeitn social Facebook, Hoti ka shkruar se nuk brengosen për këtë pasi edhe Kosova ka ushtrinë e saj.
“Presidenti i Serbisë kërkon rikthimin e shërbimit të detyruar ushtarak në Serbi shkaku i Kosovës! Këto deklarata duhet të merren me shqetësim nga Bashkimi Evropian. Por, ne nuk brengosemi. Ne kemi ushtrinë tonë. E gatshme, dhe tanimë pjesë e ushtrisë amerikane në misione paqeruajtëse. Më me qetësi, më me qetësi!”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.
Në ndërkohë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq deklaroi se do të ketë investime të mëtejshme në ushtrinë e vendit dhe sistemin e mbrojtjes, si dhe rritje të konsiderueshme të të ardhurave për anëtarët e ushtrisë gjatë këtij viti.
“Ju e dini se çfarë problemesh kemi në Kosovë, ne gjithashtu kemi probleme të tjera rajonale, së bashku me problemet e llojit të tretë, të cilat kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet gjeopolitike të fuqive të mëdha ku ne shpesh jemi vendi rreth të cilit interesat e tyre përplasen,”- ishte komenti i kreut të shtetit serb që shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Milan Mojsiloviç./FrontOnline/