Kryeministri Avdullah Hoti i është përgjigjur emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili pasi shkoi për vizitë në Beograd, tha se Kosova duhet të shkojë përtej kushtetutës nëse do të arrijë marrëveshje me Serbinë.
Hoti ka thënë se Kushtetuta është prekur në vitin 2013 kur në Kuvendin e Kosovës është ratifikuar marrëveshja e nënshkruar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, raporton Front Online.
“Dialogu do të zhvillohet vetëm në ato parime. Ato parime janë të qarta. Nuk preket integriteti territorial i vendit, nuk preket karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe kjo i përjashton plotësisht çështjet e tjera dhe marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, obligative dhe që përfundon me njohje reciproke. Ose arrijmë një marrëveshje të tillë, ose nuk mund të ketë marrëveshje fare dhe Kosova dhe Serbia vazhdojnë si dy vende fqinje që nuk e njohin njëra tjetrën. Kushtetuta është prekur në vitin 2013”, ka thënë ai.
Ai ka përsëritur gjithashtu se asgjë për të cilën do të arrihet dakordi me Serbinë nuk do të zbatohet përderisa nuk arrihet marrëveshja finale, e cila sipas tij, pikën e parë duhet ta ketë njohjen reciproke.