Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka bërë homazhe pranë varrit të Fadil Feratit, ish-kryetar i Istogut, në përvjetorin e vdekjes së tij, duke thënë se ka dhënë kontribut përveç për LDK-në por edhe për shtetndërtimin e Kosovës.
Hoti, pasi vendosi lule, tha se Ferati ka qenë shtyllë e organizimit të LDK-së në Istog.
“Një njeri i respektuar nga të gjitha strukturat e LDK-së, të gjithë qytetarët e Istogut dhe gjithë qytetarët e Kosovës, një person që ka qenë shtyllë e organizimit të LDK-së në ketë pjesë dhe në nivel të Kosovës, dhe shtyllë në plot organizime nga dita e parë për shtetndërtimin e Kosovës. E kujtojmë me respekt të thellë gjithë punën e tij për dekada të tëra për shtetin e Kosovës para se gjithash dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Hoti.
E kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova tha se Ferati ishte shembull si udhëhiqet një parti.
“Dikush mund ta marrë si fushatë, jo, kjo është ditë e përkujtimit për Fadil Feratin, vërtetë unë si kryetar komune dhe mik i ngushtë i tij, insistoj që gjithmonë te kujtohet, nëse flitet në tërë Kosovën rugovizmi, unë mendoj që për Istogun personifikohet Fadil Ferati si kryetar i parë i Istogut në zgjedhje te lira dhe është një simbol, shembull si udhëhiqet një komunë, si udhëhiqet një dege e LDK-së dhe si udhëhiqet një parti”, tha ai.
Bashkë me Hotin, për homazhe në 11-vjetorin e vdekjes se Fadil Feratit ishin edhe ministrat në detyrë, Agim Veliu, Anton Quni e Armend Zemaj./FrontOnline/