Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, doli dje në njërën prej kafiterive të kryeqytetit, për të parë se sa po respektohen masat anti-COVID-19.
Ai pas kësaj vizite, postoi disa fotografi, e lokalin ku ishte i pranishëm e mori si shembull për të mirë në respektimin e këtyre masave, shkruan lajmi.net.
“Sot e vizituam një prej bareve të Prishtinës, që është shembull i respektimit të masave kundër #COVID19. Nga sot, kemi filluar të goditemi edhe më shumë nga vala e dytë e pandemisë dhe gastronomia mbetet një prej sektorëve që kërkon shumë më shumë vëmendje, sidomos për shkak të ndikimit që ka në ekonominë e vendit”, shkruajti Hoti.
E fotografia që shkaktoi më së shumti reagime, ishte ai ku zëvendësi i Hotit në qeveri, Driton Selmanaj, mbante në dorë një sendviq, ushqim ky që ishte përmendur me të madhe pasi që ishte vet Selmanaj që kishte thënë se Hoti merr të tillë me vete në zyrë, nga shtëpia.
Në këtë fotografi, Hoti bashkë me stafin e tij është shfaqur pa maskë. Madje ato nuk i kanë të vendosura as nën mjekër.