Juristi, Taulant Hodaj, ka deklaruar se rasti i sotëm i Jakup Krasniqit me arrestim nga ana e Gjykatës Speciale nuk ishte e domosdoshme që të bëhej në atë mënyrë, pasi siç theksoi, është dashur të ndodhte me urdhër paraqitje.
Në Info Magazine në Klan Kosova ai u shpreh se me vet faktin që është arrestuar, do të thotë se do vazhdojë të qëndrojë atje dhe se nuk duhet të kemi pritje që ndoshta do të lirohet së shpejti.
“Në bazë të rregullave dhe procedurave dhe provave, pas konfirmimit të aktakuzave mund të jenë dy mënyra të me të cilat një i akuzuar mund të ftohet ose të paraqitet para gjyqtarëve të procedurës paraprake: Njëra është me urdhër-paraqitje, që i bie në mënyrë vullnetare, dhe tjetra është mënyra përmes arrestimit siç ka ndodhur sot dhe brenda tre ditësh duhet të del para gjyqtarit të procedurës paraprake”.
“Kjo është një praktikë që është ndjekur edhe nga tribunali ndërkombëtar për ish Jugosllavi dhe siç shihet po ndiqet edhe nga Gjykata Speciale”.
“Kjo mënyrë mendoj që nuk është e domosdoshme, duke e marr parasysh faktin se janë ftuar në procedurë të hetimit, janë paraqitur në mënyrë vullnetare dhe me një urdhër-paraqitje të njëjtit mund të paraqiteshin atje dhe të dalin para gjyqtarit ose të ndalen nëse mendohet se do të kenë ndikim në dëshmitarë apo mund të ndikojnë në procesin e hetimit ose nga rreziku i ikjes. Unë mendoj që ato rrethana nuk ekzistojnë dhe në bazë të këtyre rrethanave nuk do të duhej të ishte kjo që ndodhi sot, pra që të arrestohen”.
“Ata janë paraqitur dhe do të paraqiteshin prapë, se vetëm a kanë dhënë shembullin edhe gjatë procedurës së hetimit dhe siç duket edhe kjo aktakuzë është pjesë aktakuzave të muajit shkurt dhe tani kanë filluar me arrestimin e tij në këtë fazë, por e panevojshme dhe jo e domosdoshme në këndvështrimin e një avokati që nuk jemi brenda procesit dhe nuk i dimë lëndët, por në këndvështrim të rregullave të procedurës, provave dhe ngjarjeve se si kanë evoluar, nuk ka qenë e domosdoshme. Ky rast është dashur të ndodhte me urdhër paraqitje”.
“Prokuroria e ka zgjedhur këtë mënyre që është e bazuar në ligj, por sipas mendimit tim nuk është e domosdoshme sepse nuk plotësohen kushtet siç parashihen në rregulloren e procedurës dhe provave”.
“Kjo do të jetë paraqitja e parë e Jakup Krasniqit atje. Pas paraqitjes së parë do i jepet afat shtesë të dorëzohet aktakuza e konfirmuar atij dhe avokatëve të tij, pastaj do të jetë seanca statutare ku shihet nëse prokurori i ka përmbushur urdhrat sipas gjyqtarit të procedurës paraprake dhe pastaj është seanca për pranimin e fajësisë ose seanca për deklarimin rreth pranimit të fajësisë, njëjtë siç kanë vepruar me zotëri Mustafën”.