×
  • Lajme
  • Lajme

    Historia e shqiptarëve në Zvicër, rrëfimi i politikanit zviceran

    FrontOnline
    05 Dhjetor 2020

    Historia e emigrantëve shqiptarë në Zvicër, veçanërisht e atyre nga Kosova dhënë përmes dëshmitarëve, njëkohësisht kontribuesve të integrimit të tyre në shoqërinë e vendit helvetik, është ajo çka trajtohet në një bashkëbisedim, gjatë një takimi mes shoqatash dhe brezash të quajtur “INTER-VISTA”, organizuar nga Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë.

    Albana Krasniqi-Malaj, Presidente e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë dhe anëtare e Komisionit Federal për Migracionin, para nisjes së këtij takimi u shpreh se “Zvicra na ka pritur dhe strehuar. Ajo ishte toka e azilit, ajo ishte toka që na priti. Megjithëse një vend që na priti e strehoi, ne kemi kemi pasur peripecitë tona, kemi kaluar përmes një udhe kaotike, që nuk u ndikua nga vendi i azilit, por nga ajo që ne kishim lënë pas”.

    Ajo vuri në dukje se diaspora shqiptare është formësuar në kushte të vështira sepse për më tepër i duhej të integrohej të punonte dhe të kuptonte se si funksionon Zvicra.

    “Ajo ka kaluar net të bardha mes tymit të cigareve që ndizeshin e shuheshin pa pushim, me frikën në mendje e shpirt për familjet që kishin lënë atje, në atdhe, me vrasje të ndërgjegjes, me ankthe të pashtershme për fatin e gruas apo të vajzës nëse do binin pre e përdhunimit, të fëmijëve nëse do të rrëmbeheshin, burgoseshin apo jo, nëse prindërit do t’i gjejmë ende gjallë apo do të rrezikohen nga gjenocidi apo mizoritë, nën të cilat ndodhet vendi ynë i pushtuar”, evidentoi Krasniqi.

    Presidentja e Universitetit Popullor shqiptar në Gjenevë tha më tej se ”megjithatë, kjo periudhë përfundoi, ne rilindëm, sot ndodhemi këtu për të dëshmuar. “INTER-VISTA” dëshiron të jetë dëshmitarja e gjithë historisë sonë dhe po ashtu të diskutojmë e të shohim se si të tjerët na shohin dhe se si ne e shohim vetveten”.

    Për këtë arsye, tha ajo, “INTER–VISTA” është një bashkëpunim mes tri shoqatave, Universitetit Shqiptar të Gjenevës që unë përfaqësoj, Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Gjenevës, si dhe shoqatës “CréAction”.

    I pranishëm në këtë aktivitet tejet të veçantë me praninë e përfaqësuesve nga tre shoqatat, gazetarëve dhe nga komuniteti i shqiptarëve, përmes një rrëfimi interesant në vetë të parë, një prej themeluesve të Universitetit Popullor Shqiptar, Ueli Leuenberger tregon fillimet e rënies në kontakt me refugjatët e parë nga Kosova mbërritur në Zvicër, paragjykimet lidhur me ta, vështirësitë për integrimin e tyre të plotë në shoqërinë zvicerane si edhe shembuj kuptimplotë të kontributit aktual të shqiptarëve në shtetin neutral të Evropës.

    “E përjetova nga shumë afër atë që ata kishin përjetuar gjatë asaj periudhe që Milosheviçi kishte marrë pushtetin duke i privuar shqiptarët nga tërë të drejtat e tyre në Kosovë dhe, në vazhdim në 1991 tërë ajo mori ngjarjesh, që, jam i sigurtë, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk do të kishte reaguar në mënyrë të fortë, padyshim shqiptarët do të kishin përjetuar të njëjtën gjë si në Bosnje”, rrëfen Leuenberger.

    Ai tregoi edhe për përpjekjet dhe iniciativat e para për themelimin e Universitetit Popullor Shqiptar në 1996.

    “Shqiptarët e Kosovës kishin përparësi në krahasim me komunitetet e tjera, që nuk mbështeteshin nga një ambasadë apo vendi i tyre i origjinës. Këto vende spiunoheshin nga vetë ambasadat e tyre dhe kur ata ktheheshin ne vendin e tyre, ata ndaloheshin, persekutoheshin… Dhe ky ishte një handikap i rëndësishëm. Atje ekzistonin rrethe, grupe politike, që punonin në mënyrë klandestine në atë kohë. Në fakt, ajo që mungonte atje ishte një organizatë partnere për shoqatat atje, për sindikatat dhe autoritetet dhe një komunitet që të shfaqej e bashkuar përballë shtetit.

    Në fakt, pas diskutimeve të shumta gjatë viteve, kuptova se ishte shumë e vështirë për komunitetin shqiptar ta bënte krejt i vetëm këtë organizim, të vepronte në atë lloj mënyre. Pra, ishte një ide për t’u bërë gjysmë përgjysmë, pra gjysma me shqiptarë dhe gjysma me qytetarë të tjerë të Gjenevës për të krijuar Universitetin Popullor Shqiptar në 199”, u shpreh ai.

    Pak para krijimit të UPSH-së, Leuenberger u ndal në dy moment të veçanta, krijimi i SOS Kosova, ku Xhaferr Shatri, i cili ishte ministër për Formimin e Qeverisë në Mërgim, ishte një nxitës, ai luajti një rol shumë të rëndësishëm, bashkë me një kolege të Qendrës Social-Protestante, Fransuazë Greder dhe të tjerë, gjithashtu, shpërndanin informacione në lidhje me atë që ndodhte në Kosovë.

    “Një tjetër element, që ishte padyshim i rëndësishëm, për sensibilizimin e popullsisë gjenoveze ishte arrestimi i Janush Salihit”, rrëfeu ai më tej, një ngjarje që ai e kishte përjetuar shumë. “Janushi, një mik, anëtar i riformatimit sindikalist në atë kohë, refugjat, një deputet që kishte refuzuar azilin. Ministri i Drejtësisë në atë kohë, Bernard Sigler, na kishte premtuar se do ta shikonte atë dosje, pra, kishim besim. Në fakt, e kishim gjithçka në sistem, e çuam te disa miq sindikalistë të Fransuazës. Janushi u arrestua nga policia në orën 06:00. Atë e çuan në Beograd dhe pastaj në Gjilan. E torturuan, si në Beograd, ashtu edhe në Gjilan. Ne krijuam edhe Komitetin për Lirimin e Janush Salihit. Për mua, ishte një ngjarje që e përjetova thellë. Bëhej fjalë për një shok, për një mik, që ishte dëbuar. Vetëm mund ta imagjinonim, në atë kohë, se ç’mund t’i ndodhte atij atje. Ai u dënua me gjashtë vite e gjysmë burg dhe u lirua në vitin 1991, por ai komitet mbështetës për lirimin e Janushit tregoi njëkohësisht edhe realitetin e asaj që ndodhte në Kosovë dhe në rajonet e tjerë të populluara nga shqiptarët në ish-Jugosllavi”, dëshmoi themeluesi i Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës.

    Ai u shpreh se “ne donim të ishte një vend për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nëse vinin nga Kosova, nga Maqedonia, nga Shqipëria, Presheva, Medvegja, Bujanovci, nga Mali i Zi ose gjetkë, pavarësisht nëse ishin të rinj apo të vjetër, burra apo gra, pavarësisht se cilës rrymë politike i përkisnin”. Politikani zviceran tha se “deri në çastin e përfundimit të luftës, pak a shumë të gjithë, edhe pse me një lloj përmbajtjeje, e njohën si një vend të dobishëm, e njohën si vend ku mund të furnizoheshe, ku mund të mësoje, të organizoheshe, që ishte gjithashtu edhe një vend i rëndësishëm ku mund të njihje kauzën shqiptare”.

    Gjatë këtij bashkëbisedimi, Ueli Leuenberger rrëfeu edhe momentet e para të fillimit të luftës në Kosovë. “Shumë herë kam asistuar ndonjërin që ishte në sallë dhe që shikonte pamje të fshatit të tij me shtëpi të djegura, ndonjëherë kamera ndalonte tre shtëpi para të tijës. Pra, mund ta imagjinoni tërë atë ankth që po ndodhte. Në atë kohë, jo të gjithë kishin celular. Nëse kishe ndonjë atje, ai nuk mund të të përgjigjej. Më kujtohet, ishte eksodi i Prishtinës dhe gjetkë kolonat e gjata që shkonin drejt Maqedonisë, ishte një familje që pa nënën apo gjyshen përgjatë 10 sekondave. Gjëra të tilla, kanë përjetuar me dhjetëra mijëra persona dhe ato kanë lënë thellësisht shenja tek ata njerëz. Jam i sigurt që shumë gjëra që i përjetojmë, së bashku edhe me komunitetin shqiptar, ka gjëra që janë thellësisht të ngulitura, gjëra që i kanë përjetuar vetë ata dhe gjëra që u kemi bërë atyre. Dhe gjatë kësaj kohë, duhet të them që nuk u bëra nacionalist. Nuk iu bashkova as nacionalistëve zviceranë dhe as atyre shqiptarë. Jam më tepër patriot dhe i kuptoj edhe patriotët shqiptarë”, u shpreh ai.

    Në këtë bashkëbisedim, Leuenberger u pyet lidhur me deklaratën e presidentit Vuçiq për karakterizimin e marrëdhënieve me shtetin e Kosovës me statusin e konfliktit të ngrirë të Nagorno-Karabakut.

    Ai tha se këto deklarata të Beogradit nuk korrespondojnë aspak me realitetin dhe qëllimin se përse armenët luftojnë.

    “Përsa kohë që BE-ja dhe SHBA-ja sillen në një mënyrë të tillë dhe nuk e detyrojnë Serbisë, por jo popullin serb, qeverisë serbe, përgjegjësve serbë Nëse këto vende janë demokratike, edhe Kosova është gjithashtu demokratike. Dhe nëse vendet fqinje janë demokratike, asgjë nuk i pengon të bëjnë tregti së bashku, të kenë kufij të hapur e tjerë. Unë këtë aspiroj dhe shpresoj që kjo të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur”, theksoi ai.

    Kush është Ueli Leuenberger?

    Ueli Leuenberger është një politikan zviceran i lidhur me Partinë e Gjelbër. Më 30 prill 1996, Leuenberger themeloi Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës, një projekt pilot për integrimin e refugjatëve kosovarë në jetën zvicerane, të cilin e udhëhoqi deri në 2002. Për këtë punë, ai mori një çmim për punën e të drejtave të njeriut nga “Le Courrier” në 1996.

    Sot, ai është profesor dhe ligjëron mbi integrimin shoqëror dhe të ardhurit nga Ballkani.

    Në prill 2008 ai u bë Presidenti Partisë së Gjelbër duke pasuar Ruth Genner.

    Si politikan, ai është përqendruar në mbrojtjen e të drejtave të migrantëve, të drejtën e azilit dhe të drejtat e njeriut.

    Ka shkruar me Alain Maillard librin “Les damnés du troisième cercle. Les Kosovar en Suisse. 1965–1999” (Të mallkuarit e rrethit të tretë: Kosovarët në Zvicër, 1965-1999).

    Vetëm në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës, çdo vit ndjekin kurset e tij të gjuhës 600 vetë. Sot, në Gjenevë ka disa shoqata shqiptare që nxisin mësimin e gjuhës, por edhe të kulturës shqipe në përgjithësi.

    Nga Rubrika
    Lajme19 Nëntor 2024
    Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Shkëmb Manaj, ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri rugoviste. Ai përmes një postimi...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në tubimin e organizuar nga kjo parti në Fushë Kosovë. Aty u bë prezantimi...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Subjekt politik, Lista Serbe, ka njoftuar se ka mbajtur një mbledhje në selinë e kësaj partie. Siç thuhet në njoftim është diskutuar...
    Të tjera
    Lajme19 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka besuar Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut lidhur me vendimin që do ta marrë për...
    Sport19 Nëntor 2024
    Në ”Air Albania” po zhvillohet ndeshja mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Para përfundimit të pjesës së parë, tifozët e Ukrainsës, në kor kanë...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Në transmetuesin publik serb po pretendohet se është shfaqur flamuri i Republikës së Kosovës. Kjo po thuhet se ka ndodhur gjatë një...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti në takim Drejtoren Rezidente të Programit për Kosovë nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), Marta Onorato. Ai e vlerësoi...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Në Prishtinë, nën udhëheqjen e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë,...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Analisti në Maqedoninë Veriore, Isen Saliu vlerëson se nëse shihet jashtë kontekstit deklarata e kryeministrit Albin Kurti është e dëmshme për shqiptarët....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.