Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në një përgjigje dhënë portalit FrontOnline ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me procesin gjyqësor të Dhomave të Specializuara në Hagë. Ai ka theksuar se, pavarësisht kalimit të viteve, ende nuk është ngritur aktakuzë mbi bazën e të dhënave që ka kjo Gjykatë, duke vënë në dyshim seriozitetin e këtij procesi.
Berisha ka kritikuar ndryshimet e shpeshta të kuadrit të gjykatës, të cilat, sipas tij, tregojnë për mungesë profesionalizmi dhe efikasiteti.
Ai gjithashtu ka komentuar izolimin e grupit të ish-krerëve të UÇK-së gjatë periudhës së hetimit, duke e konsideruar këtë një shkelje të të drejtave të tyre.
Berisha ka theksuar se dëshmitarët që janë përdorur në gjykim janë “të paguar dhe të blerë”, duke sugjeruar se procesi po orientohet drejt një gjykimi politik dhe jo të drejtë.
‘’Është parë edhe përmes dëshmitarëve , është parë edhe jo serioziteti i tyre, është parë se ata janë të blerë, të paguar që është tentuar më shumë të bëhet një gjykim politik sesa një vendosje e drejtësisë’’, potencoi Hiseni, për FrontOnline.
Ai e ka quajtur këtë një ofendim për luftën çlirimtare të Kosovës dhe ka shprehur dyshime se vendimi i gjykatës do të jetë i drejtë.
‘’Ky është një ofendim tonë dhe objektivin e luftës tonë çlirimtare por epilogu nuk mund të jetë gjykues e aq më pak dënues’’,përfundoi Hiseni. /FrontOnline/