Departamenti i teknologjive të avancuara të Red Bull ka njoftuar se do të projektojë, zhvillojë dhe prodhojë një hipermakinë krejtësisht të re që do të ofrojë një përvojë superiore drejtimi në pistë.
Hipermakina e re do të quhet RB17, pasi Red Bull Racing e kapërceu “në mënyrë misterioze” këtë etiketë nga RB16 2021 në RB18 të këtij viti. Dizajni është nënshkruar nga Adrian Newey, njeriu pas shumë makinave fenomenale të Formula 1, dhe është gjithashtu krijuesi i modelit mbresëlënës të Aston Martin, Valkyrie.
Newey tani po e kthen vëmendjen te modeli RB17, i cili nuk ka gjasa të jetë i ligjshëm për rrugë, kështu që rregulloret nuk do të kufizojnë dëshirën për performancë.
“RB17 do të përmbledhë gjithçka që dimë për krijimin e makinave të kampionatit të Formula 1 në një paketë që do të ofrojë nivele ekstreme të performancës në një pistë të dedikuar me dy vende,” tha Newey.
Për momentin është publikuar vetëm një skicë, por dihet se RB17 do të përdorë një motor hibrid V8 që do të zhvillojë më shumë se 1100 kf. Vetëm 50 kopje do të prodhohen në shtëpinë e Red Bull në Milton Keynes dhe prodhimi do të fillojë në vitin 2025.
Çmimi i makinës do të jetë 5 milionë paund, pa taksa, ndaj blerësit do të duhet të kenë të paktën 6 milionë paund në llogarinë e tyre për të hyrë në listën e pritjes. Ky çmim përfshin aksesin në simulatorin Red Bull F1, si dhe stërvitjen në pistë./FrontOnline/