Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka arsyetuar vendimin e para disa ditësh të kryesisë së kësaj partie për ta votuar Vjosa Osmanin për presidente.
Në “Politiko”, në Kanal 10, Haziri ka thënë se vendimi i LDK-së për ta votuar Vjosa Osmanin, është në mirëbesim që kjo e fundit ta luajë rolin e saj siç e thotë Kushtetuta dhe të mosanojë nga asnjëra parti politike.
Tutje Haziri thotë se nëse Vjosa Osmani tenton që në emër të çkapjes së shtetit ta kapë atë, atëherë LDK nuk do falë.
“Vendimi ynë është në mirëbesim me zonjë Osmani. Ajo duhet ta di që si presidente duhet ta luajë rolin për të cilin është aty. Ta ruajë frymën kushtetuese që e ka ky shtet, e jo të anojë tek një parti ose tek një tjetër. Tjetra, nëse ajo tenton që në emër të çkapjes ta kapë shtetin, LDK nuk e falë”, ka thënë ndër të tjera Haziri.
Kryetari i Gjilanit ka folur edhe për situatën brenda LDK-së lidhur me vendimin për votimin e Vjosa Osmanit.
Ai tha se LDK është unike dhe se janë duke punuar çdo ditë për një gjë të tillë.