Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri u ka shprehur ngushëllime familjarëve të katër bashkëqytetarëve që kanë humbur betejën me COVID19. Kurse, gjatë ditës u konfirmuan edhe 29 raste të reja pozitive, por lajmi i mirë është që nuk kanë mostra në pritje për rezultat.
Haziri ka shkruar se Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit është i ngarkuar me pacientë #COVID pozitivë, derisa tri ekipet e QKMF-së, brenda 24 orëve të fundit, i ka realizuar 72 vizita shëndetësore në shtëpitë e të prekurve.
“Apeloj që t’i respektoni masat kundër përhapjes së virusit që është bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe pastrimi i duarve. Gjendja e përgjithshme e përballjes me COVID-19 është si vijon: numri i testimeve është 6236, ku prej tyre kanë rezultuar pozitivë 2350 persona, 1701 të shëruar, 580 raste aktive, 68 të vdekur dhe 76 pacientë në hospitalizim”, ka shkruar ai në Facebook.