Deputeti i zgjedhur i PDK’së, Bekim Haxhiu – Kamishi, në emisionin DPT te Fidani në T7, ka treguar se a do t’ia bëjë partia e tij kuorumin VV’së për ta zgjedhur Vjosa Osmanin presidente.
Haxhiu tha se obligimi për zgjedhjen e presidentit të ri i takon Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo për shkak se, sipas tij, nuk duhet të kërkohet llogari nga ai që s’i ka fituar zgjedhjet, por nga fituesi i tyre.
“I kujt është ky obligim, kënd e kanë ngarkuar qytetarët, ne apo VV’në? Qytetarët i kanë jep besim dhe votë VV’së dhe përgjegjësia për qytetarët i takon VV’së. Nuk ka pse të kërkohet llogari tek ai që s’e kanë votuar, llogari duhet kërkuar nga ata që janë votuar”, është shprehur Haxhiu.
E në pyetjen se a do të qëndrojë PDK’ja në Kuvend për t’ia bërë kuorumin VV’së, Haxhiu tha “Cka m’i nejt? A m’ka besu mua qytetari, apo atij?”.
Tutje, ai tha se PDK’ja nuk ka qenë as pro as kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti. Sipas tij, detyra e opozitës është ta rrëzojë qeverinë dhe kjo është arsyeja pse kanë votuar pro rrëzimit të Kurtit.
“Ndoshta zëri ynë nuk ka shkuar deri në fund te qytetarët, rrëzimi i Qeverisë Kurti ka ndodhur për shkak të prishjes së koalicionit LDK-VV. Nëse ata kanë vendosur ta prishin bashkëjetesën, ne as nuk kemi qenë mësit të asaj bashkëjetese, e as nuk jemi përpjekur t’i mbajmë bashkë. Detyra e çdo partie opozitare është ta rrëzojë qeverinë”, shtoi Haxhiu./