Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur rreth ftesës për kryeministrin Albin Kurti për t’u paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale.
Haxhiu e ka quajtur këtë veprim të Prokurorisë si përpjekje të vonuar, duke thënë se Kurti nuk e ka refuzuar dëshminë, raporton EkonomiaOnline.
“Për qeverinë tonë ka rezultate të pafundme, por hajde të flasim për sukseset e Prokurorisë Speciale. Përveç terrorizmit dhe krimeve të luftës, ajo adreson edhe shpërdorimin e parave dhe a ka ndodhur ndonjë rast ku Blerim Jusufaj ka pasur sukses. Unë e di që ka prokurorë shumë të mirë, por problemi qëndron tek personat e lartë, tek Blerim Jusufaj”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.
“Kurti nuk ka refuzuar të paraqitet si dëshmitar, por si është e mundur që rasti i rezervave shtetërore, që ka ndodhur vitin e kaluar, po ftohet tani? Në ditën kur po bëheshin listat e deputetëve, qëllimet ishin tashmë të qarta”.
“Në qeverinë e kaluar ka lulëzuar korrupsioni, por ne e dimë si janë pasuruar politikanët, askush nuk mund të thotë se kryeministri Kurti është i korruptuar. Por, në të kaluarën janë bërë milionerë politikanët dhe askush nuk merrej me pasurinë e paluajtshme. Kurti nuk ka refuzuar dëshminë, ai ka promovuar ditë dhe datë, dhe ka ndodhur edhe më herët që të pyetet në zyrë”.