Lëvizja Vetëvendosje me rastin e 4-vjetorit të vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, ka mbajtur një konferencë për media. Por në këtë konferencë nuk pranuan të deklarohen për aktakuzat ndaj presidentit Hashim Thaci dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Në konferencën e mbajtur në 4 vjetorin e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga gazetarët që të mos iu parashtrohen pyetje lidhur me zhvillimet e fundit politike.
Veçse kjo e fundit tha se dihen qëndrimet e LVV-së në lidhje me këtë çështje, por që sipas saj duhet të flasin ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale.
“Pikërisht sot në katër vjetorin e vrasjes së Astritit ishim bashkë me shefin e Grupit Parlamentar zotëri Selimin, për të nderuar jetën dhe veprën e Astritit. Ishim te varri i Astritit aty u përshëndetëm. Ju e dini qëndrimin e LVV-së sa i përket kësaj çështje. Për këtë duhet të flasin tash ata që e kanë votuar këtë gjykatë”, tha ajo.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme aktakuza ju konfirmuar edhe Shefit të Grupit Parlamentar të VV-së Rexhep Selimit dhe ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi.