Zyrtarja e lartë e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu thotë se letra e Mogherinit si garancë për Asociacionin ka mundur të vlejë deri më datë 23 dhjetor 2015.
Kjo sepse atëher Gjykata Kushtetuese e shpalli garancën e Mogherinit si të pavlerë dhe marrëveshjen në kundërshtim me Kushtetutë.
Ajo tha se problemi qëndron se kryeministri i atëhershëm garancën dhe integritetin e Republikës ia paska deleguar një pale të tretë.
Ky është postimi i saj i plotë:
Letra e znj. Mogherini e datës 24 gusht si garancë për marrëveshjen e 25 gushtit mund të ketë vlejtë maksimumi deri më datën 23 dhjetor 2015, atëherë kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, institucioni i vetëm dhe suprem për interpretime kushtetuese, e shpalli garancën e znj. Mogherini të pavlerë e marrëveshjen në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Përtej kësaj, këtu ka një shpërfaqje të një problemi tejet serioz e të kushtueshëm që i ka përcjellë delegacionet e Kosovës që nga hera. Edhe asaj radhe, një kryeministër i Republikës së Kosovës, garancën e interesit dhe integritetit të Republikës ia paska pas deleguar një pale të tretë, në këtë rast fasilituesit.