Fitim Havolli, kryetar i Sindikatës së Infermierëve dhe Mamive ka deklaruar se rreth 150 mjek dhe infermierë do të vaksinohen nesër kundër COVID-19 në Kosovë.
I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ai ka thënë se kontingjenti i parë i vaksinave do të shpërndahet shumë shpejt edhe në gjithë Kosovën.
“Diku 150 mjek dhe infermierë do të vaksinohen nesër. Do të fillohet nga Klinika Infektive, ndërsa kontigjenti i parë i vaksinave do të shpërndahet në gjithë sistemin shëndetësorë”, ka deklaruar ai.
Havolli ka thënë se atëherë kur do të vaksinohet së paku 70 për qind e popullsisë, do të kemi një kontroll të sisitemit shëndetësorë.
Ai ka treguar se duhet të ketë edhe ekipe mobile për personat që nuk mund të shkojnë në vende të caktuara për vaksinim.
Kujtojmë që Kosova dje është furnizuar me 24 mijë doza të vaksinës Anti-COVID të AstraZenecas nga COVAX. I pari që është vaksinuar me këto vaksina ka qenë kryeministri i vendit, Albin Kurti.