Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani po e sheh të mundshëm rinumërimin total të votave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Derisa i kanë mbetur edhe dy ditë Supremes për vendimmarrje të ankesave, Hasani thotë se nëse argumentohen pretendimet, do të ishte e udhës të largohen të gjitha dilemat se në QNR ka pasur orkestrim dhe manipulim të votave.
Hasani thotë se edhe votat për iniciativën e Adriana Hoxhiqit dhe Iniciativën Rome në vendbanimet me shumicë serbe janë legjitime. Ai thotë se kjo çështje është shkelje kushtetuese dhe jo ligjore.
“Për bindjen time, nëse eventualisht ankuesit, të gjithë ata që kanë adresuar ankesa në Gjykatën Supreme, që i mbështesin pretendimet e tyre për abuzime në QNR, patjetër që do ta bëjë (vendos për rinumërimin total). Flas gjithnjë nëse ato kanë ofruar argumente që ka ndodhur diçka në këto qendra të numërimit. Nëse ka prova, duhet të rinumërohen të gjitha ato për t’i evituar dhe larguar dilemat edhe në opinion se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë bërë manipulimet me votat e kandidatëve, ku janë bartë votat nga njëri-tjetri. Edhe kjo po del, ju e keni parë se veç me një kandidat ndërroi çështja e renditjes pikërisht për shkak të votave. Për mua gabimet janë njerëzore, nuk përjashtohet mundësia pa qëllim një votë t’i numërohet një kandidati”, thotë ai
Hasani thotë se orientimi i votave, siç ka ndodhur në vendbanimet me shumicë serbe është në kuadër të suazave ligjore. E njëjta gjë, sipas tij ndodh edhe gjatë zgjedhjeve në nivel komunal, ku në balotazh kandidatë të partive të caktuara orientojnë votën për njërin prej dy pretendetëve për kryetarë të komunave.
“Qasja e tillë me votat e komuniteteve të rezervuara ka krijuar një precedent të rrezikshëm që mund t’i kthehet bumerang atij që e ka konstruktuar këtë mënyrë të votimit. Por, për mua, bindjen time, çdo gjë është në kuadër të Ligjit (për zgjedhje). Pasi e drejta e votës është e drejtë absolute, secilit që e hedh votën në kuti që të votojë për këdo që ai dëshiron. Ne e dimë se kanë qenë të riorientuara se kë duhet të votojnë, por edhe kjo është pjesë e legjitimitetit të subjektit politik se të zhvillojnë fushatë, të orientojnë votuesit se për cilin kandidat duhet të votojnë. Në aspektin ligjor subjektet politike kanë të drejtë të zhvillojnë fushatë dhe të orientojnë elektoratin kënd ta votojnë. Edhe ajo është në kuadër të ligjit. Nuk mundesh t’i thuash shkelje e ligjit nëse dikush thotë ta votosh këtë kandidat. Është e drejtë e tyre, ju e dini edhe në zgjedhjet lokale kur garojnë dy-tre kandidatë për kryetarë dhe në balotazh partitë tjera dalin haptas thonë mbështesni këtë kandidat. Pra në aspektin ligjor është problematike”, deklaron Hasani.
Megjithatë, në aspektin kushtetues, Hasani thotë se janë cenuar të drejtat e komuniteteve boshnjake dhe rome në Kosovë.
“Në aspektin kushtetues është e vërtet që janë cenuar të drejtat e komuniteteve. Pse, sepse neni 43 i Kushtetutës thotë se ‘Republika e Kosovës ka detyrim ligjor të ndërtojë mekanizma për t’iu mundësuar komuniteteve mbrojtjen, avancimin dhe të drejtave të tyre’. Në këtë rast ka dështuar në kuptimin se nuk ka ndërtuar mekanizëm për t’iu siguruar atyre se këto 10 deputetë që janë në aspektin Kushtetues të rezervuar për ta të jenë pikërisht që përfaqësojnë interesat e tyre”, thotë ai.
Lidhur me ndjekjen penale për abuzuesit e mundshëm të votave në QNR, Hasani thotë se Kodi Penal mbulon mjaftueshëm që të dënohet secili prej ditës së zgjedhjeve e deri në momentin e certifikimit të rezultateve.
“Duhet të ndiqet penalisht çdo kush që abuzon. Ne kemi zgjeruar gamën e veprave penale gjatë ndryshimeve të ligjeve për shkak se janë paraqitur dukuri në procesin zgjedhor. Fillimisht kanë qenë 5-6 vepra, tani janë 11 sosh. Pra nuk ka zonë apo fushë që nuk mbulohet. Dikush tha se penalisht ndiqet vetëm ditën e zgjedhjeve. Prej kur fillon procesi zgjedhor dhe deri kur certifikohen rezultatet çdo gjë në aspektin penal është e sanksionuar nëse abuzohet”, deklaron Hasani.
Një numër i madh i ankesave gjatë ditës së djeshme janë adresuar në Gjykatën Supreme, kryesisht kandidat për deputetë të cilët kanë kërkuar rinumërim të votave, pasi pretendojnë se ka pasur parregullsi në numërimin e tyre. Krahas kësaj, ankesa kanë dorëzuar edhe iniciativa e komunitetit boshnjak të Adriana Hoxhiq lidhur me anulimin e votave në zonat me vendbanime serbe.
Ndërsa ankesë në Supreme kanë dorëzuar edhe dy ish-deputetë nga komunitetet boshnjake dhe rome. Duda Balje dhe Veton Berisha kërkuan anulimin e votave në gjitha komunat me shumicë serbe për iniciativën e Hoxhiqit dhe atë rome.