Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, shefin e mëparshëm të Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriqin, si dhe shefin aktual të të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq kanë bërë kërkesë që ta vizitojnë sot Kosovën. Megjithatë, kjo kërkesë u refuza nga institucionet e Kosovës.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla përmes një komunikate për media këtë kërkesë e quajti ofendim. “Kërkesa e Vuçiq, Vulin, Gjuriq e Petkoviq për të vizituar Kosovën, në një kohë kur Kosova përballet me rihapjen e plagës e dhimbjes së madhe të personave të pagjetur, dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas, është ofendim më tepër se provokim”, ka thënë ajo.
Tutje ministrja Haradinaj-Stublla tha se secila kërkesë e Serbisë në këto rrethana gjithmonë do ta ketë përgjigjen e njëjtë!
“Meqë institucionet e Kosovës të angazhuara për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, tanimë kanë pranuar ftesën për pjesëmarrje në vazhdimin e gërmimeve në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë dhe do të jenë aty gjatë javës së ardhshme, edhe vizita e paralajmëruar e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Meliza Haradinaj-Stublla, shtyhet për një kohë tjetër”, është bërë e ditur në komunikatë.
Haradinaj-Stublla tutje tha se Serbia, nuk është në gjendje ta trajtojë të kaluarën e saj kriminale, andaj kërkohet ndërhyrje ndërkombëtare në këto rrethana, që drejtësia e munguar për viktimat e gjenocidit serb në Kosovë të vihet në vend./FrontOnline/