Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar sot në Berlin një takim me Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Stephan Mayer.
Shefja e diplomacisë e ka falënderuar sekretarin Mayer për mbështetjen e shtetit gjerman karshi Kosovës.
“Në takim me Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Stephan Mayer shpreha falënderimin e Kosovës ndaj shtetit gjerman, dhe Ministrit Federal Horst Seehofer për ndihmën e pandërprerë dhe bashkëpunimin për forcimin e pozicionit të Kosovës drejt epilogut pozitiv për lëvizje të lirë në BE”, ka thënë Haradinaj -Stublla.
Kryediplomatja ka theksuar se Kosova ka pritje të larta nga presidenca e Gjermanisë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Theksova që Kosova ka pritje të larta nga Presidenca gjermane që agjenda e liberalizimit të vizave për Kosovën të futet në agjendë këtë muaj. Mayer gjithashtu e informova që Kosova tashmë ka filluar punën edhe me Francën dhe Holandën që sipas modelit gjerman të bashkëpunimit në nivel ekspertësh, të përmbyllim këtë proces pozitivisht.”, është shprehur Haradinaj-Stublla.
Shefja e diplomacisë ka theksuar se nga Mayer ka marrë mbështetjen për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave.
“Nga Mayer u sigurova që Ministria Federale e Punëve të Brendshme do të mbështesë më tej Kosovën duke ndarë eksperiencën e tyre pozitive të bashkëpunimit me Kosovën edhe me shtetet skeptike, në mënyrë që të përmbyllet me sukses vendimmarrja e Liberalizimit të Vizave. Sekretari Mayer shprehu mirënjohjen për progresin e Kosovës në përmbushjen e kritereve dhe se Gjermania do të jetë gjithnjë një shtet partner dhe mik për vendin tonë” ka përfunduar Haradinaj Stublla.